Në prag të përfundimit të Ramazanit, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka folur për rëndësinë e këtij muajit të shenjtë.
Ai ka folur për natën më të veçantë gjatë muajit të Ramazanit, e njohur si Nata e Kadrit, duke bërë thirrje që besimtarët islamë obligohen ta kërkojnë dhe të bëjnë vepra të mira për të arritur shpërblime të shumëfishta.
Tërnava ka folur edhe për bashkëjetesën e mirë fetare dhe bashkëpunimin e bashkësive fetare me institucionet qendrore.
“Tash e 27 vjet pas luftës, në Kosovë politika kosovare asnjëherë nuk është përzier në punët fetare brenda bashkësive fetare, e as brenda BIK. Me një fjalë kemi pasur lirinë, pavarësisht se qeveria nga cila parti ka qenë, ne kemi bashkëpunuar jashtëzakonisht me ta. E kemi ndihmuar shtetin shumë, ai nuk ndihmohet veç me para e tatime. Shteti ndihmohet edhe përmes faljes së sigurisë, harmonisë, përmes xhamive ku kemi ftuar (si ligjërues) njerëz që të japin kontributin e tyre për një solidaritet e sakrificë mes vete”, ka thënë ai.
Myftiu ka folur edhe për rëndësinë e lirisë dhe çlirimit edhe në aspektin e praktikës fetare. Ai ka thënë se në kohën e okupimit serb ka pasur kufizime edhe në aspektin shpirtëror fetar.
“Ne i kishim xhamitë por ishin të mbyllura në namazet e xhumasë, të Bajramit ngase nuk lejonin forcat okupuese që ne të shkojmë në faltoret tona. Sot ka mundësi që të punohet edhe më shumë, masa e gjerë të edukohet dhe të njihet më përafërsisht e më drejtë me fenë e vet. Ky është një dallim jashtëzakonisht i madh”, tha ai. /rtk