Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda njofton se është arrestuar një person me iniciale F.U., polic i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë të Policisë së Kosovës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.
I njëjti me vendim të prokurorit gjendet në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton se brenda afatit të paraparë ligjor do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesë për masën e sigurisë për të pandehurin.
Sipas IPK-së bëhet fjalë për pesë zyrtarë të policisë për të cilët, “ekziston dyshimi se zyrtarët policorë më 13 Mars 2026 gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë””.
Sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë në këtë rast, “pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara”, thuhet në njoftimin e IPK-së.