Një zhytës në brigjet e Kolumbisë Britanike mendoi fillimisht se kishte zbuluar një UFO në fund të Oqeanit Paqësor, por ajo që gjeti rezultoi shumë më shqetësuese sesa mund ta imagjinonte.
Ndërsa tensionet globale vazhdojnë të rriten, po rikthehen në vëmendje edhe rastet e armëve bërthamore të “humbura” nga ushtria amerikane ndër vite. Sipas të dhënave, Shtetet e Bashkuara kanë disa koka bërthamore të paidentifikuara, armë me potencial shkatërrues për qytete të tëra.
Rasti në fjalë lidhet me një zbulim të bërë në vitin 2016 nga zhytësi Sean Smyrichinsky, i cili pretendoi se kishte gjetur një objekt misterioz në fund të detit, pranë arkipelagut Haida Gwaii, rreth 80 kilometra në perëndim të bregut të Kolumbisë Britanike.

“Isha duke kërkuar peshk për ditën tjetër dhe vendosa të bëja një zhytje eksploruese. U largova pak nga varka dhe pashë diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë,” tregoi ai.
Objekti, rreth 3.5 metra i gjatë, kishte një formë të pazakontë, që ai e përshkroi si “një donut i prerë në gjysmë, me bulona të mëdhenj të rrumbullakët përreth”. Ai shtoi se ishte “gjëja më e çuditshme” që kishte parë ndonjëherë.
Fillimisht, ai mendoi se kishte zbuluar një objekt fluturues të paidentifikuar. “U thashë shokëve të ekuipazhit: ‘Zoti im, kam gjetur një UFO’,” kujton ai.
Por më vonë, një person me përvojë i sugjeroi se mund të ishte diçka shumë më reale dhe e rrezikshme: një bombë bërthamore e humbur.
Bëhej fjalë për një bombë të tipit Mark IV, e cila kishte humbur gjatë Luftës së Ftohtë, pasi një bombardues amerikan B-36 ishte rrëzuar në atë zonë më 13 shkurt 1950.
Kjo bombë, rreth 3 metra e gjatë dhe me peshë afro 5 tonë, ishte hedhur në Oqeanin Paqësor nga ekuipazhi i avionit, pasi disa nga motorët kishin marrë flakë gjatë një misioni stërvitor.
Sipas autoriteteve amerikane, bomba nuk kishte bërthamë plutoniumi dhe konsiderohej një “model provë” (dummy), megjithëse përmbante materiale shpërthyese.
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe më vonë. Në vitin 1958, një tjetër bombë bërthamore u humb pranë ishullit Tybee, pas një përplasjeje në ajër. Fillimisht u deklarua si jo funksionale, por dokumente të publikuara dekada më vonë treguan se ajo ishte një armë e plotë bërthamore.
Ndërkohë, zhytësi filloi të hulumtojë më shumë dhe gjeti fotografi që përputheshin me atë që kishte parë. “Kur pashë imazhet, kuptova se mund të ishte pikërisht ajo bombë,” tha ai.
Ai vuri re se objekti kishte struktura sferike të mëdha, më të mëdha se topat e basketbollit, të cilat përmbanin material shpërthyes. Vendndodhja e zbulimit përputhej afërsisht me zonën ku mendohej se ishte hedhur bomba.

“Jam në vendin e duhur dhe duket si një pjesë e asaj bombe. Çfarë tjetër mund të ishte? Mendova UFO, por ndoshta nuk ishte,” shtoi ai.
Pas kësaj, ai kontaktoi Ministrinë e Mbrojtjes së Kanadasë, e cila reagoi duke thënë se po e shqyrtonte çështjen me “interes të madh”. Në vitin 2016, forcat e armatosura kanadeze njoftuan se do të dërgonin një anije për të hetuar objektin.
Autoritetet kanadeze përsëritën se, sipas të dhënave zyrtare, bomba ishte një model jo-bërthamor. Megjithatë, ata theksuan nevojën për verifikim të plotë.
“Një ekip i specializuar për mjete shpërthyese të pashpërthyera do të vlerësojë nëse objekti paraqet rrezik dhe nëse duhet të nxirret apo të lihet aty ku ndodhet,” deklaruan ata. /GazetaExpress/