Dhjetëra milionë njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, sipas një analize të Programit Botëror të Ushqimit të publikuar të martën.
Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit që nisën më 28 shkurt kanë bllokuar rrugë kyçe të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Rreth 45 milionë persona shtesë pritet të shtyhen drejt urisë akute për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit, naftës dhe transportit detar, duke e çuar totalin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionësh, tha zëvendësdrejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Carl Skau, për gazetarët në Gjenevë.
“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë shumë, shumë e rëndë”, tha ai.
“Që para kësaj lufte, ne ishim tashmë në një situatë shumë e rënduar ku uria nuk ka qenë kurrë kaq e rëndë si tani, si për nga numrat ashtu edhe për thellësinë e saj”, shtoi ai.
Skau tha se kostot e transportit të tyre janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt dhe se disa dërgesa janë detyruar të ridrejtohen.
Këto kosto shtesë vijnë mbi shkurtime të mëdha të shpenzimeve nga Programi Botëror i Ushqimit, pasi donatorët po përqendrohen më shumë te mbrojtja, shtoi ai.