Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për N.Z, i cili dyshohet se dje vrau një person në qendër të qytetit.
Ndaj tash të pandehurit, Prokuroria tha se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, përveçse ka paraqitur në Gjykatën Themelore Gjakovë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili pasi u arratis, dje pasdite u vetdorëzua në Polici.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M.P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E.M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm, shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R.B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikon jetën e personave të tjerë, ku i dëmtuari E.M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet tutje në njoftim.
Prokuroria e Gjakovës thotë se me këto veprime, N.Z. kreu “vrasje të rëndë”.
“Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së. I pandehuri që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekur”, thuhet në njoftim.