Shtesa e përvojës: Si u shkelën të drejtat e rreth 90 mijë punonjësve të sektorit publik - Gazeta Express
string(87) "shtesa-e-pervojes-si-u-shkelen-te-drejtat-e-rreth-90-mije-punonjesve-te-sektorit-publik"

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 16:14

Shtesa e përvojës: Si u shkelën të drejtat e rreth 90 mijë punonjësve të sektorit publik

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 16:14

Mësimdhënësi i matematikës, Qamil Hajdini, me mbi tri dekada përvojë në arsim, thotë se puna e tij është formësuar pikërisht nga përvoja që ka fituar ndër vite në klasë.

Hajdini, i cili punon në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, tregon se kur Qeveria vendosi ta përgjysmonte shtesën për përvojën e punës për 15 vjetët e parë, reagimi i mësimdhënësve ishte i menjëhershëm.

“Viti i përvojës është vit përvoje si në vitin e parë, si pas 15 vjetëve”, thotë ai.

Për të, dëmi nuk është vetëm financiar.

“Edhe nëse janë 15 euro, me to mund ta bësh, për shembull, një pagesë komunale… por, më e rëndësishmja është që ndihesh keq kur e sheh që e drejta jote nuk po respektohet”, shton Hajdini për Radion Evropa e Lirë.

Për çfarë bëhet fjalë?
Shtesa për përvojën e punës është një përqindje që i shtohet pagës bazë për çdo vit të kaluar në punë në sektorin publik.

Që nga viti 2010, kjo shtesë ishte e përcaktuar në 0.5 për qind të pagës për çdo vit pune. Kjo do të thotë se, për shembull, një punonjës me dhjetë vjet përvojë përfitonte 5 për qind mbi pagën bazë, ndërsa një me 20 vjet përvojë, 10 për qind.

Kjo politikë synonte që përvoja të shpërblehej financiarisht dhe punonjësit të motivoheshin të qëndronin në sektorin publik.

Megjithatë, me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik të vitit 2022, kjo shtesë u ndryshua: për 15 vjetët e parë të punës ajo u përgjysmua në 0.25 për qind për çdo vit, ndërsa vetëm pas vitit të 15-të mbeti në 0.5 për qind.

Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë reduktim antikushtetues, duke vlerësuar se cenon të drejtat e fituara të punonjësve publikë.

Hajdini thotë se, pas aktgjykimit të Kushtetueses, ai dhe kolegët e tij u janë drejtuar gjykatave, por se po përballen me vonesa, për shkak të numrit të madh të lëndëve.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës për ta pyetur për numrin e lëndëve që janë parashtruar lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Në maj të vitit 2025, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Argzon Muçaj, kishte thënë për Betimin për Drejtësi – medium i specializuar për çështje të drejtësisë – se vetëm brenda një dite atyre u ishin dorëzuar rreth 2.000 padi.

Sipas Naim Jakajt, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kjo është pasojë direkte e moszbatimit të vendimit të Kushtetueses.

“Vazhdimi i kësaj situate rrezikon të mbingarkojë gjyqësorin me padi individuale, duke prodhuar pasoja serioze financiare dhe institucionale për shtetin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ngarkesë të ngjashme, gjykatat në Kosovë kanë përjetuar edhe nga paditë e shumta që lidhen me kontratat kolektive, të cilat janë marrëveshje ndërmjet punëdhënësve dhe sindikatave që përcaktojnë të drejtat dhe përfitimet e punëtorëve, si shtesat në paga apo kompensimet shtesë.

Edhe në ato raste, numri i madh i kërkesave individuale kishte krijuar vonesa dhe kishte rënduar sistemin gjyqësor.

Cila është zgjidhja?

Edhe mbi dy vjet më vonë, ndryshimi i kërkuar nga Gjykata Kushtetuese nuk është zbatuar ende.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Përmes buxhetit të ri vjetor, Qeveria ka lënë të kuptohet se shtesa prej 0.5 për qind për përvojën e punës, pritet të reflektohet në paga duke filluar nga ky muaj.

Megjithatë, sipas Jakajt, problemi nuk është vetëm zbatimi në praktikë, por edhe mungesa e ndryshimeve ligjore që kërkohen nga aktgjykimi i Kushtetueses.

“Tentativa për ta rregulluar këtë çështje përmes një ligji njëvjeçar buxhetor, e jo përmes ndryshimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, siç është kërkuar shprehimisht nga Gjykata Kushtetuese, nuk e përmbush standardin e kërkuar kushtetues”, thotë Jakaj.

“Një qasje e tillë krijon pasiguri juridike dhe nuk garanton zbatim të qëndrueshëm të aktgjykimit kushtetues”, shton ai.

Neni 31 i këtij ligji parasheh që shtesa prej 0.5 për qind të zbatohet nga ky vit, duke lënë një boshllëk dyvjeçar nga hyrja në fuqi e aktgjykimit.

Gjatë këtyre dy vjetëve që nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, mbi 90 mijë punonjës në sektorin publik – përfshirë mësimdhënës, policë, zjarrfikës dhe punëtorë të administratës – kanë pësuar dëm financiar.

Sa para janë humbur?
Për shembull, nëse një mësimdhënës ka pagë bazë 600 euro dhe 15 vjet përvojë pune:

Me normën ligjore 0.5%, ai do të përfitonte rreth 7.5% shtesë (45 euro në muaj).
Me normën e reduktuar 0.25%, ai ka marrë rreth 3.75% (22.5 euro në muaj).
Pra, dallimi për të është rreth 22.5 euro në muaj.

Nëse kjo llogaritet nga janari i vitit 2023, kur u bë ndryshimi në Ligjin për Pagat, deri në fund të vitit 2025 (rreth 36 muaj), humbja arrin në mbi 800 euro për një punonjës të vetëm.

Sindikata paralajmëron: Ose dialog, ose veprime sindikale
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, thotë se vendimi për ta përgjysmuar shtesën për përvojën e punës është bërë në kundërshtim me kërkesat e sindikatës.

“Ne e patëm bërë një kërkesë tjetër gjatë përgatitjes së Ligjit për Paga. Patëm kërkuar që dhjetë vjetët e parë të paguhen 0.5%, pastaj dhjetë vjetët e tjerë 0.75% dhe ata që kanë përvojë 30 vjet e më shumë të paguhen me 1%”, thotë ai.

Por, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh dhe shtesa e përvojës vetëm u reduktua.

Jasharaj shprehet i zhgënjyer nga mungesa e dialogut me institucionet, që thotë se e ka përkeqësuar situatën dhe e ka rritur pakënaqësinë te punonjësit.

“Anëtarësia jonë na jep dy detyra: ose të dialogojmë, ose të veprojmë. Kur nuk kemi dialog për një kohë të gjatë, detyrohemi të ndërmarrim veprime sindikale, si protesta dhe greva”, thotë Jasharaj.

Ai shton se, ndonëse në shikim të parë shuma mujore mund të duket e vogël, efekti i saj është i ndjeshëm.

“Duket e vogël, por kur shikohet për gjithë ata muaj, shuma duket goxha e madhe, sidomos kur merren parasysh pagat e ulëta dhe inflacioni”, thotë Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesa për zbatim dhe kompensim retroaktiv

Si Jakaj, ashtu edhe Jasharaj kërkojnë që Kuvendi ta ndryshojë Ligjin për Pagat në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses dhe të sigurojë kthimin e mjeteve në mënyrë retroaktive.

Mosveprimi, sipas tyre, jo vetëm që ka prodhuar dëm financiar, por rrezikon të krijojë kosto shtesë për shtetin përmes proceseve gjyqësore.

Edhe vetë mësimdhënësi Hajdini do të preferonte që zgjidhja të mos vinte nga gjykatat.

“Dihet që ky vendim ka qenë i gabuar. Do të ishte më mirë që Qeveria vetë ta bëjë këtë ndryshim dhe të mos shkohet përmes gjykatave”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj në pyetjen e REL-it se a do t’i kompensojë punëtorët për paratë që kanë humbur deri më tani./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement