Tri ditë pasi Kurti lëshoi pe për strukturat ilegale serbe, BE konfirmon heqjen e masave ndëshkuese - Gazeta Express
string(98) "tri-dite-pasi-kurti-leshoi-pe-per-strukturat-ilegale-serbe-be-konfirmon-heqjen-e-masave-ndeshkuese"

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 16:34

Tri ditë pasi Kurti lëshoi pe për strukturat ilegale serbe, BE konfirmon heqjen e masave ndëshkuese

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 16:34

Kryeministri Albin Kurti u pajtua të shtunën që t’i bëjë disa lëshime për serbët, përfshirë njohjen edhe për një kohë të dokumenteve të identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale. Sot, tri ditë pas, Bashkimi Europian konfirmoi se i ka hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Tri ditë pasi kryeministri Albin Kurti u pajtua t’i pranojë edhe për një kohë dokumentet e identifikimit të serbëve të lëshuara nga strukturat ilegale, Bashkimi Europian ka konfirmuar se ka hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Komisioni Europian bëri të ditur sot se BE-ja i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese që i ishin vendosur Kosovës në qershor të vitit 2023.

Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, e konfirmoi këtë gjatë një debati që u zhvillua për Raportin për Kosovën në Parlamentin Europian.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Europian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha ai.

Ky lajm vjen tri ditë pasi BE-ja mirëpriti angazhimin e Kurtit për të lëshuar pe për disa çështje me rëndësi për Brukselin.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ishte të shtunën në Prishtinë dhe pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, u bë e ditur se ky i fundit kishte vendosur t’i bënte disa lëshime.

Kurti pranoi se u pajtua që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillonte me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në institucionet arsimore, po ashtu paralele në veri të vendit.

Ai u pajtua edhe që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.

Dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat ilegale serbe, Kurti tha gjithashtu se do të pranohen edhe për një kohë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të hap një dritare të re 3 mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës”, tha ai në një konferencë të përbashkët për media me përfaqësuesin e Brukselit.

Sorensen, nga ana tjetër, e cilësoi si të mirë takimin me Kurtin, dhe konfirmoi lëshimet që u bënë për serbët.

“Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë këtë si një përparësi kryesore që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e interesuar për një periudhë fillestare prej dymbëdhjetë muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha ai.

“Për të siguruar që shërbimet të mos ndërpriten, BE-ja i kërkon Kosovës të lejojë përdorimin e lejeve të njoftimit të lëshuara nga Serbia jo më vonë se 15 Marsi 2026 për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës duhet të regjistrojë individët e pranueshëm në Sistemin Qendror të Regjistrit të Gjendjes Civile të Kosovës sipas Ligjit të Kosovës në përputhje me faktet e tyre të Gjendjes Civile”, shtoi Sorensen.

Kjo lëvizje e Kurtit u kritikua nga opozita, por u mirëprit në Beograd dhe në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se zgjidhja e arritur në lidhje me zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë përbën një lehtësim për popullin serb.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas tha se vendimi i Kurtit “ka krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”. Ajo shtoi se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement