Joan Laporta, i rizgjedhur në krye të Barcelonës së fundmi, ka folur për disa çështje kyçe të klubit në një intervistë të fundit për “El món a RAC1”, duke dërguar mesazhe të qarta për yjet e skuadrës dhe projektin sportiv për të ardhmen, përcjell “Gazeta Express”.
“Lamine Yamal është një artist”
Në një koment që ka tërhequr vëmendje, Laporta e ka komplimentuar talentin e sulmuesit të ri Lamine Yamal, duke e përshkruar si një “artist” në fushë, duke e nënvizuar aftësinë e jashtëzakonshme të tij për ta bërë diferencën në lojë.
“Ai është një artist, një yll, një djalë me shumë personalitet. Ne ramë dakord për vazhdimin e kontratës së tij dhe ai na kërkoi ta bënim këtë në një ditë kur gjyshja e tij mund të ishte e pranishme. Ai ka një kontratë deri në vitin 2031 dhe finalizimi i zgjatjes së tij nuk ishte një proces i vështirë.”
Kjo vjen në një kohë kur Barcelona po përgatitet për sfidat e fazës së eliminimit direkt në Champions League dhe kur ylli i ri është një nga lojtarët më të monitoruar të ekipit.
Laporta ka theksuar se klubi dëshiron ta ndërtojë rreth Yamalit një skuadër konkurruese dhe të qëndrueshme afatgjate, ku talentet e rinj si ai e luajnë një rol qendror në projektin sportiv.
“E duam qëndrimin e Lewandowskit”
Në lidhje me të ardhmen e sulmuesit Robert Lewandowski, Laporta e ka bërë të qartë se Barcelona dëshiron ta ketë atë edhe sezonin e ardhshëm, nëse lojtari është i gatshëm të vazhdojë.
“Na pëlqen që ai të qëndrojë”, ka thënë presidenti, duke kujtuar se Lewandowski ka ardhur në një moment të vështirë për klubin dhe e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm.
“Do të donim që ai të qëndronte, por do të varet nga ajo që e dëshiron. Ai erdhi në një kohë të vështirë dhe na ka ndihmuar shumë, dhe ne duam që ai të qëndrojë. Pozicioni i sulmuesit është i mbuluar nga Robert Lewandowski dhe Ferran Torres. Por, nëse duhet ta përforcojmë sulmin, do ta bëjmë këtë.”
Megjithatë, vendimi final do të varet nga dëshira e vetë sulmuesit, i cili do të marrë kohë për të vendosur rreth së ardhmes së tij.
Laporta ka shtuar se pozicioni i sulmuesit qendror është i mbuluar mirë me dyshen Lewandowski – Ferran Torres, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e përforcimeve të tjera nëse do të jetë e nevojshme. /Gazeta Express