Wayne Rooney nuk pajtohet me vlerësimin e Roy Keane për trajnerin e ardhshëm të Manchester Unitedit dhe nuk dëshiron që një kandidat “i rrezikshëm” të marrë detyrën.
United u shkëput në vendin e tretë në tabelën e Premierligës pas fitores 3-1 ndaj Aston Villës të dielën.
Tani janë tri pikë përpara skuadrës së Unai Emerys në vendin e katërt, me Liverpoolin dy pikë më prapa pas barazimit 1-1 ndaj Tottenhamit.
Trajneri i përkohshëm, Michael Carrick, ka kontratë deri në fund të sezonit pas zëvendësimit të Ruben Amorimit, me detyrën kryesore për ta rikthyer Unitedin në Ligën e Kampionëve.
Çfarë do të ndodhë më pas mbetet e paqartë, por me çdo fitore, Carricku rrit mundësitë për të marrë detyrën në mënyrë permanente.
Rooney ka mbështetur herë pas here ish-shokun e tij të skuadrës për këtë rol dhe tani thekson se klubi duhet të zgjedhë Carrickun mbi një emër “rrezikues” si ish-trajneri i Brighton & Hove Albion, Roberto De Zerbi.
“Michael e di, ka qenë në atë klub për shumë kohë. E di se çfarë kërkon,” tha ai për “BBC Radio 5 Live”.
“Është një trajner i mirë, e ka treguar. Ka treguar që nuk ka problem të menaxhojë në këtë nivel, lojtarët i janë përgjigjur. Pra pse të ndryshosh atë? Pse të marrësh dikë që është një rrezik, si De Zerbi, ku mendon ‘A mund të jetë një rrezik?’ dhe merr një hap prapa nëse nuk funksionon. Për mua, Carrick duhet ta marrë detyrën”, tha ai.
De Zerbi është një nga kandidatët kryesorë pas largimit nga Marseille, por mënyra e raportuar e largimit të tij dhe humbja e formës drejt fundit të periudhës te Brightoni mund të luajnë kundër tij.
Pas fitores 3-1 të United, Keane – ish-kapiteni i klubit – tha për “Sky Sports” se ka ende “opsione shumë më të mira” për trajnerin e ardhshëm.
“Mendoj se ndeshjet ku ka ardhur, sa i përket fitoreve, ka bërë një punë shumë të mirë. Ka thjeshtuar gjërat,” tha Keane.
“Por nuk ka pasur rrezik në ato ndeshje. Ka pasur disa javë për t’u përgatitur për ndeshjet [pa Europë apo kupa]. Ka qenë koha e duhur për të hyrë atje. Ka bërë një punë shumë të mirë, ja ku i hedh kapelën. Nëse merr detyrën në verë – i uroj fat. Por mendoj se ka shumë opsione më të mira atje jashtë. Nëse Carrick do të ishte përmendur tre muaj më parë, nuk do të ishte konsideruar”, kishte thënë Keane./GazetaExpress/