Në Gjykatën Themelore të Tetovës vazhdoi gjykimi i ngritur për dyshimet mbi keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së re në Tetovë. Sot u dëgjuan ekspertët e propozuar nga mbrojtja, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
Në seancën e sotme u dëgjuan e ekspertët e propozuar nga mbrojtja e personit juridik Urban Plan Construction.
Arkitektja Dushanka Popova, e cila përgatiti raport dhe mendim si eksperte nga fusha e arkitekturës, iu përgjigj pyetjeve të avokatëve mbrojtës dhe prokurorit publik, të cilat kishin të bënin me sasitë e materialeve ndërtimore dhe lidhjen e tyre me vlerën e blerjes.
Më pas u dëgjua Jane Demjanski nga Enti për Ekspertiza, i cili kishte përgatitur raport dhe mendim si ekspert për çështjet materiale, financiare dhe të kontabilitetit. Prokuroria nuk pati pyetje për këtë ekspert.
Gjykimi pritet të vazhdojë më 20 prill, ku para gjykatës pritet të dëshmojnë ekspertët tjerë nga mbrojtja.
Deri tani janë mbajtur tre seanca (25 nëntor 2025, 20 janar 2026 dhe 16 shkurt 2026), ndërsa fillimi i gjykimit u shty tre herë.
Në këtë rast akuzohen personi juridik “Urban Plan” si dhe personat fizikë Sejdi Sharivari, Haki Fazliu, Artan Arsllani dhe Bujar Muça.
Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).
“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë… I pandehuri i pestë, B.M., si inxhinier kryesor mbikëqyrës në një person juridik të angazhuar si organ mbikëqyrës gjatë zbatimit të marrëveshjes për prokurim publik nga viti 2015 deri në vitin 2020, duke shfrytëzuar të njëjtat rrethana, ka kryer disa veprime të ndërlidhura në kohë duke mos ushtruar mbikëqyrjen e domosdoshme dhe në mënyra të tjera ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme gjatë ushtrimit të kompetencave…“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri i parë Sejdi Shasivari dhe personi juridik “Urban Plan” akuzohen se kanë kryer vepër penale të vazhdueshme, keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat sipas nenit 275-v të Kodit Penal. Të pandehurit Haki Fazliu dhe Artan Arsllani akuzohen se kryen vepër penale të vazhdueshme të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal dhe i pandehuri Bujar Muça akuzohet se kreu vepër penale të vazhdueshme vepër neglizhencë në shërbim nenit 353 të Kodit Penal.
Para se të fillonte gjykimi në Tetovë, kjo lëndë për disa muaj ‘shëtiti’ nëpër gjykatat e vendit.
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 12 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë.
tag_katrorimaqedoni_2