Nuk ndalojnë reagimet politike ndaj retorikes nacionaliste të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, i cili gjatë javës tha se nuk duhet të përdoret gjuha shqipe në ndryshimet e ligjit për trafikun rrugorë ku u diskutua për “Safe City”. Nga VLEN thonë se këto deklarata shoviniste të mendësisë së kaluar ulin edhe më tej besueshmërinë në sistemin e drejtësisë. Kreu i grupit parlamentar të koalicionit qeverisës Bekim Qoku tha se shprehjet e tij nuk kishin të bëjnë aspak me debatin që u shqyrtua në seancë për kushtetueshmërinë e disa neneve të “Safe City” ku u rrëzuan dy iniciativa të dy ASH-ve.
“Ky person njollosë Gjykatën Kushtetuese me deklaratat që nxisin debat të panevojshëm nacionalistë, sidomos kur prekin një nga çështjet tona më të rëndësishme kombëtare siç është gjuha. Ai nuk ka nevojë për këtë lloj protagonizmi, kur e dimë se gjyqësore ka një besueshmëri të ulët, ai kontribuon që të mos të besohet në këtë sistem edhe më tej. Minon besueshmërinë e komunitetit shqiptar për këtë institucion kaq të lartë të drejtësisë”, tha Bekim Qoku, Deputet i VLEN-it.
Për opozitën shqiptare më shqetësuese është heshtja e pozitës shqiptare brenda institucioneve përballë refuzimit të zbatimit të gjuhës shqipe. Anëtare e kryesisë së integristëve Liridona Beqiri tha se nuk mjafton vetëm një reagim i vonshëm në rrjete sociale, por nevojitet një veprim dhe presion institucional për ta mbrojtur këtë të drejtë.Ajo tha se çdo përpjekje për ta mohuar ose relativizuar këtë të drejtë cenon dinjitetin e shqiptarëve dhe sfidon frymën e bashkëjetesës që mban të bashkuar shtetin.
“Kur një gjykatës kushtetues flet me gjuhën e frikës nga barazia, ai nuk mbron Kushtetutën por bën autopsinë e saj! Kjo është një mendësi që refuzon të pranoje se nuk ringjallen dot fantazmat e një epoke që historia, e sotmja dhe projekti evropian i Maqedonisë së Veriut, e ka tejkaluar dhe refuzuar vendosmërisht! ‘Safe City’ është më shumë se një radar për shpejtësi, që nuk kap vetëm shpejtësinë e makinave, po kap edhe mllefin e atyre që ju pengon gjuha shqipe, kap ankthin e vjetër institucional që shqipja si e drejtë ngre në rendin zyrtar, e që e shohin atë si shkelje e kufirit të shpejtësisë politike!”, u shpreh Liridona Beqiri, Anëtare e kryesisë së BDI-së.
Reagime të shumta pati edhe nga ASH-ja e Selsë dhe ASH-ja e Taravarit, të cilët njëzëri me BDI-në kërkojnë dorëheqjen e Kostadinovskit nga kreu i Kushtetueses, duke shprehur shqetësimin që një gjykatës ka keqpërdorur foltoren e organit më të lartë të drejtësisë për deklarata të shfrenuara politike.
Vitin e kaluar kishte interpelancë të ngritur nga deputetët e BDI-së për shkarkimin e Kostadinovskit nga kreu i Kushtetueses, por nuk o votua nga VMRO, VLEN dhe ZNAM as për ta futur në rend të ditës në Seancën 59. Nga VLEN për këtë thanë se Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur dhe do të ishte një precendet i rrezikshëm nëse shkarkimi i Kostadinovskit ishte futur në votim në Kuvend.
tag_katrorimaqedoni_2