Disa anëtarë të Kongresit amerikan nga të dyja partitë, Republikane dhe Demokratike, i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, përmes së cilës i bëjnë thirrje që të parandalojë zvogëlimin e mundshëm të trupave amerikane në Kosovë.
Këtë iniciativë të kongresistëve e ka vlerësuar veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, i cili tha se kjo letër tregon një mesazh mbështetjeje për Kosovën dhe për sigurinë në rajon.
“E mirëpres dhe e vlerësoj thellësisht këtë iniciativë të fuqishme dhe dypartiake nga udhëheqës në të dyja dhomat e Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të cilët i bëjnë thirrje Sekretarit të Shtetit Marco Rubio që të ruajë praninë e trupave amerikane në Kosovë. Në një kohë tensionesh globale dhe krizash të reja, përfshirë në Lindjen e Mesme dhe me Iranin, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht lëvizin dhe ripozicionojnë forcat e tyre nëpër botë; kjo është normale për një fuqi globale dhe nuk do të thotë se angazhimi strategjik i Amerikës ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar”.
Bajraktari tha se letra e tyre i siguron “qytetarët e Kosovës dhe komunitetin shqiptaro-amerikan se mbështetja për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për vazhdimin e pranisë së trupave amerikane në Kosovë, mbetet e fortë dhe e qëndrueshme”.
Bajraktari në X ka publikuar edhe letrën e kongresistëve:
🇺🇸🇽🇰I welcome and deeply appreciate this strong, bipartisan initiative from leaders in both the U.S. Senate and the House of Representatives urging Secretary of State @SecRubio to maintain America’s troop presence in Kosova.
— Harry Bajraktari (@HarryBajraktari) March 13, 2026
In a time of global tensions and new crises,… pic.twitter.com/QmvIPzkw5L