Trajneri Gazmir Pozhegu po vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme me ekipin e pionierëve të KH Vëllaznimi, duke krijuar një gjeneratë shumë premtuese për të ardhmen e klubit nga Gjakova.
Pozhegu në Gjakovë njihet si një punëtor i madh i sportit dhe si trajner me sy shumë të mprehtë për zbulimin e talenteve të rinj.

Falë punës së tij dhe përkushtimit në stërvitje, skuadra e pionierëve po tregon formë të shkëlqyer këtë sezon.
Pas 7 ndeshjeve të zhvilluara në kampionat, pionierët e KH Vëllaznimit kanë arritur 6 fitore dhe 1 barazim, duke dëshmuar potencial të madh dhe duke u shndërruar në një nga ekipet më të forta të kësaj kategorie, shkruan “365 Sport”.
Kjo gjeneratë shihet si një bazë shumë e rëndësishme për të ardhmen e klubit, ndërsa puna e trajnerit Pozhegu po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga sportdashësit në Gjakovë.