Kryeministri Albin Kurti tregoi se nuk e sheh si favor dhënien e datës 28 dhjetor nga presidentja Vjosa Osmani për mbajtjen e zgjedhjeve të kaluara.
Në një deklarim për media, që u duk si përgjigje ndaj një deklarate të fundit të Osmanit, e cila deklaron se ka dhënë këtë datë të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti tha se s’ka pasë opsion tjetër pos 28 dhjetorit.
“Për bindjen time të fuqishme, zgjedhjet nuk kanë qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga Sekretariati i KQZ-së që thotë se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat logjistike e teknike.
Duke përmendur zgjedhjet lokale që ishin afër atyre të dhjetorit, Kurti tha: “Prandaj, nuk ka pasë mundësi tjetër për datë përveçse 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizoheshin më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”.
Në një intervistë së fundi, presidentja Osmani, duke folur për disa pretendime për puç ndaj kryeministrit Kurti, tha: “Pra, a ia paskësha organizuar pas shtatorit unë puçin zotit Kurti, duke i ia dhënë datën 28 dhjetor, a?”.
Kjo deklaratë e saj u komentua si kundërthënëse me argumentet që kishte dhënë Osmani pasi kishte caktuar këtë datë për zgjedhje.
Atëherë Osmani kishte thënë se kishte vepruar në interes të vendit për të siguruar prezencë sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote, duke mohuar se vendimi ishte në favor të ndonjë partie./Express/