Janë bërë 50 vite nga humbja e jetës së Qenan Shaipit në krye të detyrës, në qytetin Kankun të Meksikës, ku ishte raportues i parë i Radio Televizionit të Prishtinës gjatë vizitës zyrtare shtetërore të kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Vëllai i Qenan Shaipit, Fetihu e kujton atë si një të ri shumë aktiv në jetën studentore dhe institucionale të kohës.
“Qenan Shaipi ka lindur më 10 tetor 1946 në Preshevë. Shkollën fillore aty e ka kryer, shkollën e mesme teknike në Mitrovicë. Në vitet 64 – 65, ka punuar në Preshevë si teknik. Kur është hapur Fakulteti i Ndërtimtarisë, është regjistruar në Prishtinë. Edhe studimet këtu kanë nisur. Vitin e dytë është zgjedhur kryetar i studentëve të Fakultetit Teknik, mandej është zgjedhur kryetar i studentëve të Lidhjes së Studentëve të Kosovës, ka qenë dy vjet. Mandej ka qenë i zgjedhur sekretar i Komitetit të shkollave dhe të fakulteteve të Kosovës, ndoshta më i ri në atë kohë në Jugosllavi. Aty, mandej, ka qenë edhe deputet, anëtar i Komitetit, mandej ka kaluar në Lidhjen Socialiste si për informim. Ka shkuar ushtarë, pasi që ka qenë ushtarë, ka qenë drejtor i Investimeve në Televizionin e Prishtinës që ishte në themelim e sipër, mandej ka qenë kryeredaktor i programit informativ të televizionit të Prishtinës. Në atë cilësi ka shkuar me përcjelljen e Titos”, tha Shaipi.
Fetihu konfirmon se nga Televizioni i Prishtinës, ai ishte i pari si raportues që mori pjesë në një udhëtim zyrtar të Titos.
Vëllai i Qenanit, Fetih Shaipi, kujton se ishin orët e vona të natës, pesë dekada më parë, kur ekrani i Televizionit të Prishtinës dha lajmin e fundit: “Qenan Shaipi kishte ndërruar jetë”. Versioni zyrtar i kohës fliste për një vdekje natyrale gjatë pushimeve, por për familjen e tij kjo ishte vetëm fillimi i një enigme që vazhdon edhe sot.
“Informacioni ka qenë në televizion drejt, drejtpërdrejt. 11:30 të natës në lajmet e fundit, atëherë është dhënë që ka vdekur. Mandej, në mes të dy-tri ditëve, derisa ka ardhur në aeroport, pastaj në Preshevë për varrim… Kështu kanë thënë se ka pasur sulm në zemër në ujë. Bile edhe të tjerët kanë qenë në grup, ata tre-katër, edhe Fadil Bujari, mezi që ka shpëtuar, dhe ai ka qëndruar dy javë në spital…. 06:44. Vazhdimisht është folur edhe nga organet shtetërore dhe nga sigurimet dhe njerëz që kanw folur… Kështu që është folur vazhdimisht se është mbytur. Dikush ma ka thanë me emër, bile dikush ka than se para se me shku prej Kosovës 15-16 ditë. Ai thotë me një fjalë, thjesht me përgatitë terrenin”, kujton vëllai i Qenanit.
Fetihu për KosovaPress thotë se e ka përjetuar vdekjen e Qenan Shahipit si një ngjarje shumë tragjike dhe të pakuptimtë. Sipas tij, shpjegimet e dhëna nuk e bindin, pasi Qenani kishte notuar gjithmonë mirë.
“E kam përjetuar si fort tragjike, fort pa kuptim. Ata shpjegojnë, japin disa shpjegime, por notimi nuk e ka pasur problem. Ai ka shkuar rregullisht në det gjatë pushimeve, edhe në Mitrovicë, Nibërash, ka notuar mirë. Për mua është e papranueshme, se ai ka shkuar rregullisht në det 7–8 vjet… Për mua si anëtar i familjes, po edhe të tjerët, ka lloj dilemesh që gradualisht mendoj t’i hulumtoj”, thotë ai.
Ai tregon se nga udhëheqja e atëhershme jugosllave nuk kishte pasur ndonjë informacion të detajuar për rrethanat e vdekjes. Sipas tij, i vetmi reagim zyrtar kishte qenë një telegram ngushëllimi nga Josip Broz Tito.
“Vetëm ngushëllime. Telegram ngushëllimi kam marr prej Titos”, kujton Fetihu.
Familja ka tentuar të gjejë informacione në arkiva shtetërore për të zbardhur rrethanat e vdekjes. Ai tregon se ka bërë kërkesë edhe në Shqipëri për dokumente të mundshme por që nuk ka marrë përgjigje.
“Të drejtën më thënë, unë e kam vendosur të hulumtoj këtë, por po shkojnë me vështirësi. Atje në Serbi nuk janë çelur këto dokumente të vjetra të Arkivit Shtetëror të Sigurimit, po edhe në Shqipëri nuk kishin qenë të hapura… Në Shqipëri kam kërkuar me shkrim. Me shkrim më kanë thënë nuk është e hapur dhe më shumë informata s’ka… Ata thonë se lënda është, por nuk është e hapur… Në arkivin shtetëror të sigurimit, organit të punëve të brendshme, ato i kam kërkuar unë, jo në arkivin e përgjithshëm që thonë, por të sigurimit, organeve të sigurimit”, tha ai.
Përkundër vështirësive, ai thotë se interesimi për të zbuluar të vërtetën vazhdon. Vëllai i Qenan Shahipit thotë se kërkesa e familjes nuk ka për qëllim të fajësojë individë, por të nxjerrë të vërtetën.
“Duam të kërkojmë sa më shumë objektivitet dhe realitet, a është real, a s’është real. Nuk e kam ndërmend të akuzoj njeri. E di që një periudhë e tillë ka qenë politike, organizative, ka pasur pasoja, por unë nuk kërkoj fajtor kështu në atë kuptim, por sistemor. Jam për të verifikuar të vërtetën”, shprehet ai.
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...