Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi nuk i ka rënë pishman për deklaratën e tij të dhënë, teksa kërkonte që disa ambasadorë mos të bëjnë vizita në Gjykatën Kushtetuese dhe mos të bëjnë ndërhyrje, pasi që siç është ripërsëritur kjo vie për shkak të së kaluarës.
Rrustemi ka lutur ambasadorët që ta lënë Kosovën të përballen vetë me këtë proces gjyqësor që ka të bëjë me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, apo edhe siç thekson ta lejojnë Kosovën të gabojnë dhe kështu “sado të vështira në dukje, këto e maturojnë Kosovën, e pjekin Kosovën edhe politikisht edhe institucionalisht”.
“Në të shkuarën, në të kaluarën e afërt ne kemi parë që në procesin e marrjes së vendimeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese për raste të rëndësishme edhe politike kemi parë vizita dhe takime me ambasadorë e diplomatë të ndryshëm. Mbase kalendari i korit diplomatik ka konciduar me periudhën kur janë trajtuar këto raste dhe këto vendime, dhe kur janë marrë këto vendime. Në të kaluarën e largët edhe më shumë kanë ekzistuar, le të themi, këto komunikime dhe ndërveprime. Por i kam lutur publikisht, natyrisht duke marrë parasysh rëndësinë e rastit të cilin po e trajton apo ka përpara Gjykata Kushtetuese, jo për shkak të autoritetit politik, por edhe për shkak të standardit kushtetues që bëhet fjalë për Republikën parlamentare. Karakteri i Republikës sonë si republikë parlamentare dhe demokratike, dhe unë i kam lutur që ta kursejnë Gjykatën Kushtetuese me vizita dhe takime të cilat mund të shiheshin si një lloj ndërhyrje ose ndikimi në procesin e vendimmarrjes”, tha ai.
Deputeti theksoi se edhe nëse ndodhin gabime nga ana e Gjykatës Kushtetuese atëherë do të ndikojnë në forcimin si institucione.
“Gjykata Kushtetuese në këtë periudhë, deri më 31 mars, ka nevojë për t’u lënë që ta trajtojë rastin mbi baza meritore, objektive, të paanshme, të pandikueshme dhe të nxjerrë në fund një aktgjykim meritor. Unë e përsëris edhe njëherë, mbase e keni parasysh, unë kuptoj edhe interesin e diplomatëve për zhvillimet politike në Kosovë. Kjo është legjitime. Në këtë periudhë mendoj që është me rëndësi ta lënë edhe Gjykatën Kushtetuese, por edhe Kosovën në fund të fundit, që të përballet vetë me këto procese, sepse sado të vështira në dukje, këto e maturojnë Kosovën, e pjekin Kosovën edhe politikisht edhe institucionalisht. Le të na lënë të gabojmë, po flas si institucione, si vend, sepse nëpërmjet këtyre gabimeve edhe forcohemi dhe kalitemi për të ardhmen. Prandaj, është e vërtetë që të mos ketë takime dhe vizita në një periudhë që konsiderohet proces i gjykimit, sepse kjo është procedurë gjyqësore në fund të fundit. Dhe në një procedurë gjyqësore asnjë faktor, asnjë palë – jo vetëm palë në procedurë – por asnjë faktor i brendshëm nuk duhet të përfshihet e të mund të interpretohet apo të shihet si interferim. Unë e thashë që në të kaluarën e afërt, edhe kur them të kaluarën e afërt jo më larg sesa vitin e kaluar domethënë, e në të shkuarën e largët edhe më shumë ka pasur vizita të ambasadorëve dhe diplomatëve në Gjykatën Kushtetuese ose takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese pikërisht në proces të vendimmarrjes apo disa ditë para se të merret vendimi. Dhe mund t’i pyesni edhe ata, edhe vetë Gjykatën Kushtetuese edhe për aktualitetin edhe për rastin konkret”, tha Rrustemi.
Rrustemi gjatë intervistës tha se këtë shkrim e ka bërë për shkak të shqetësimit.
“Por unë natyrisht e kam ndarë një shqetësim të sinqertë dhe i kam lutur që ta kursejnë Gjykatën Kushtetuese me takime e vizita në këtë fazë, domethënë se në fund të fundit po flasim për disa ditë deri më 31 mars. Dhe Gjykata Kushtetuese le ta trajtojë rastin në mënyrë të paanshme, të pandikuar, të pavarur, siç e ka edhe mandatin dhe misionin që është vërtet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe të nxjerrë një vendim meritor mbi rastin. Nuk po flas vetëm për aktualitetin politik. Rasti që po trajton Gjykata Kushtetuese nuk është i rëndësishëm vetëm për aktualitetin politik, është një nga rastet më të rëndësishme që ka trajtuar Gjykata Kushtetuese ose që ka pasur përpara për ta trajtuar dhe që do të ketë ndikim edhe në të ardhmen për vendin tonë, për sistemin tonë politik, për rendin kushtetues dhe për demokracinë’, tha ai.
Dekretin që Osmani nxjerri mëngjesin e 6 marsit, Rrustemi e quan arbitrar dhe se ky dekret sipas tij ka krijuar pasiguri të madhe juridike dhe institucionale.
“Domethënë duhet të ruajmë standardi që Presidenti i Republikës nuk mundet në një mëngjes të ndërhyjë në mënyrë arbitrare dhe të ndërpresë mandatin e përfaqësuesve të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli siç janë deputetët. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm qendror që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, dhe madje që zgjedh edhe qeverinë, edhe presidentin apo presidenten e Republikës, dhe që e miraton e ndryshon edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i miraton ligjet dhe merr vendime me rëndësi. Domethënë dekreti ka prodhuar një pasiguri të madhe juridike dhe institucionale. Dita e 6 marsit ka qenë një ditë le të themi e paprecedentë për një demokraci të konsoliduar, kur institucionet nuk e dinë se dje ishin fuqiplotë e sot nuk janë. Deputetët dje ishin, sot nuk janë. Mbrëmë u përpiqshin ta zgjedhin presidentin, ndërsa në mëngjes nuk janë deputetë. Qeveria shndërrohet në detyrë papritmas, caktohet data e zgjedhjeve dhe cenohen të drejtat edhe në rastin konkret elektorale që garantohen me Kushtetutë, neni 45, sa i përket këtij procesi”, tha Rrustemi.
Rrustemi thekson se Kosova nuk ka vend për veprime urgjente me pasiguri juridike.
“Me përplot pasiguri, Kosova nuk ka nevojë për veprime të tilla urgjente me pasiguri juridike që nuk na qartësojnë rrugën përpara. Vendi ynë është vend demokratik, Republikë parlamentare, me autorizime e kompetenca të qarta për secilin institucion, me Kushtetutë të shkruar dhe me rregulla strikte. Le t’i respektojmë rregullat e shkruara për të cilat jemi pajtuar dhe ekzistojnë, sepse vetëm kështu mund të përmbushim natyrisht edhe karakterin e shtetit ose të së drejtës së shtetit ligjor”, shtoi tutje deputeti”, theksoi ai.