Suplementet ditore me vitamina mund të ndihmojnë në uljen e nervozizmit dhe irritimit tek adoleshentët, sugjeron një studim i ri shkencor.
Edhe pse ndryshimet e humorit dhe temperamentit konsiderohen pjesë normale e adoleshencës, kjo moshë është gjithashtu më e ndjeshme ndaj problemeve si depresioni dhe ankthi. Studimet tregojnë se rreth një në pesë të rinj nga mosha 8 deri në 25 vjeç mund të kenë një çrregullim të mundshëm të shëndetit mendor, shpesh i lidhur me ndryshimet hormonale, stresin në shkollë ose presionin social.
Ekspertët paralajmërojnë se gjendja e shëndetit mendor tek të rinjtë është përkeqësuar në dekadat e fundit, duke u konsideruar nga disa studiues si një fazë shqetësuese.
Trajtimet për problemet e humorit tek adoleshentët – si psikoterapia apo medikamentet – jo gjithmonë janë lehtësisht të arritshme ose tolerohen mirë. Për këtë arsye, studiues nga University of Canterbury sugjerojnë se një zgjidhje më e thjeshtë mund të jetë përdorimi i vitaminave.
Si u realizua studimi
Në studim morën pjesë 132 adoleshentë të moshës 12 deri në 17 vjeç që kishin nivele të moderuara ose të larta irritimi dhe nuk merrnin ilaçe.

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Për tetë javë, një grup mori çdo ditë katër tableta që përmbanin vitamina A, B, C, D, K dhe E, ndërsa grupi tjetër mori tableta placebo. Gjatë gjithë periudhës ata u monitoruan nga një psikolog klinik.
Çfarë treguan rezultatet
Adoleshentët që morën vitaminat shfaqën përmirësim të dukshëm në humor dhe reagim emocional krahasuar me ata që morën placebo.
Efekti më i madh u vërejt tek të rinjtë me çrregullimin e quajtur Disruptive Mood Dysregulation Disorder, një gjendje që shkakton irritim të vazhdueshëm dhe shpërthime të forta emocionale.
Rreth 64 për qind e adoleshentëve në këtë grup treguan përmirësim të simptomave, ndërsa vetëm 12 për qind e atyre që morën placebo patën ndryshime të ngjashme.
Prindërit e fëmijëve që morën vitaminat gjithashtu raportuan për sjellje dhe gjendje emocionale më të mira krahasuar me grupin tjetër.
Sipas autores kryesore të studimit, Julia J Rucklidge, rezultatet tregojnë se një qasje e thjeshtë ushqyese mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave emocionale, vështirësive në sjellje dhe madje edhe mendimeve vetëvrasëse tek disa të rinj. /GazetaExpress/