Kristiademokratët dhe të Gjelbrit janë pothuajse të barabartë para zgjedhjeve në landin e pasur të Baden-Württemberg. Kush mund të fitojë dhe cilat janë dallimet?
Landi i Baden-Württembergut është qeverisur bashkërisht nga të Gjelbrit dhe CDUqë nga viti 2016. Ka shumë mundësi që koalicioni të vazhdojë pas zgjedhjeve të kësaj jave (8 mars).
Por kush do të jetë partneri më i madh? Dy sondazhet e fundit u japin CDU-së një avantazh të lehtë (27-28 përqind) ndaj të Gjelbërve (25-27). Partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) mund të mbështetet në gati njëzet përqind, ndërsa partitë e tjera janë në shifra njëshifrore.
Të Gjelbërit kanë bërë një ndryshim të madh: Alfa dhe omega i tyre në këtë land, Kryeministri Winfried Kretschmann, mbush 78 vjeç në maj dhe ka vendosur të mos kandidojë më. Kretschmann ka qenë Kryeministër që nga viti 2011, kur të Gjelbrit u ngritën dhe për shkak se, vetëm pak ditë para votimit ndodhi aksidenti bërthamor në Fukushima të Japonisë që la një përshtypje të madhe. Ndërsa të Gjelbrit kanë qenë gjithmonë kundër energjisë bërthamore.
Që atëherë, Kretschmann ka qeverisur me mbështetjen e Socialdemokratëve dhe më pas të CDU. Ai është kuptuar mirë me të gjithë. Kretschmann i përket të ashtuquajturit krah “realist” të të Gjelbrve, më afër industrisë, ndryshe nga “fundamentalistët” që janë më të majtë.
Gara midis të rinjve dhe të vjetërve
Tani ai mund të pasohet nga i riu Manuel Hagel (CDU), dhe ka shumë mundësi që ai të drejtohet së pari te të Gjelbrit për një koalicion.
Hagel (37) e paraqet veten si një njeri që e njeh ekonominë, dhe kjo është shumë e rëndësishme në landin e koncerneve të automobilëve Mercedes, Porsche dhe kompanive të tjera të mëdha. Duke folur për DW, Hagel përmend dy shpikës:
“Nëse mendojmë për Karl Benz nuk e shpiku makinën sepse dikush i ndaloi karrocat për herë të parë. Baroni von Drais nuk e shpiku biçikletën sepse dikush ia ndaloi të ecte. Ata shpikën këto gjëra sepse ishin të etur për diçka të re”, thotë kandidati i CDU-së.
Kundërshtari i tij kryesor është politikani i Gjelbër me përvojë Cem Özdemir (60). Ndryshe nga Hagel, ai njihet në të gjithë landin sepse ishte kryetar partie dhe Ministër federal i Bujqësisë. Në fazat e fundit të fushatës, Özdemir ngushtoi hendekun. Si individ, ai është më popullor se Hagel.
“Ky është një land ku të Gjelbrit janë thellësisht të rrënjosur në shoqëri”, thotë Özdemir për DW. “Nga shoqatat e biznesit te OJQ-të, nga lëvizjet mjedisore te njerëzit më konservatorë që festojnë Karnavalin. Të gjithë janë të bashkuar në partinë tonë.”
Roberto Heinrich, një anketues, infratest-dimap i të cilit kreu një nga sondazhet e fundit, thotë se mbështetja personale e Özdemir shtrihet përtej partisë së tij. “Si personalitet, ai është shumë i pëlqyer si nga brezi i vjetër ashtu edhe nga votuesit demokratë kristianë.”
Kandidati i AfD-së preferon Berlinin
AfD-ja, disa nga komitetet e së cilës konsiderohen ekstremiste, ka nxjerrë si kandidat fytyrën e saj të njohur nga ky land, Markus Frohnmeier. Ai është aktualisht nënkryetar i grupit parlamentar në Bundestag. Ai ka thënë tashmë se nëse nuk bëhet Kryeministër i landit, nuk do të vijë fare nga Berlini për të qenë përfaqësues i landit.
Shanset e tij për t’u bërë Kryeministër janë zero. Sepse kandidati konservator Hagel tashmë e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me populistët e krahut të djathtë. Ozdemir thotë të njëjtën gjë.
Siç thotë studiuesi Heinrich, AfD po forcohet dhe po fiton mbështetje nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. “Por mbështetja është më e fortë midis burrave të moshës së mesme, punëtorëve dhe njerëzve të pakënaqur me gjendjen e tyre personale ekonomike.”
Në përgjithësi, kjo nuk mjafton për të menduar për qeverinë në landet perëndimore. Është ndryshe në lindje, për shembull në Mecklenburg ose Saksoni-Anhalt, ku votimi do të mbahet në shtator. Atje, AfD është shumë afër 40 përqind mbështetje.
Në shtator do të votohet edhe në Berlin. Ndërsa më 22 mars, në Rheinland-Pfalz. Pra, ky vit është i mbushur me zgjedhje në Gjermani.
Humnera e Socialdemokratëve
Nëse CDU fiton, do të ishte ky një rikthim në mjediset e fabrikës për Baden-Württemberg, një shtet me rreth njëmbëdhjetë milionë banorë. Që nga vitet 1950 deri në ardhjen e Kretschmann, gjithmonë ka pasur një kristiandemokrat si Kryeministër.
Popullsia konsiderohet konservatore, por mbështet edhe të Gjelbrit, dhe ate jo vetëm në qendrat e mëdha universitare tëStuttgartit dhe Tübingenit.
Rënia e përgjithshme e Socialdemokratëve, të cilët po përballen me rezultatin e tyre më të keq në histori, ka të ngjarë të vazhdojë. Nëse ata mbeten në përqindje njëshifrore, kjo mund të jetë një tronditje deri në selinë e partisë në Berlin, ku Socialdemokratët janë dobësuar në koalicion me CDU-në e Kancelarit Friedrich Merz.
Nuk janë vetëm CDU dhe të Gjelbrit që i kanë shtyrë Socialdemokratët jashtë garës në Gjermaninë Jugperëndimore, thotë Roberto Heinrich, por edhe AfD-ja ka një ndikim. “Një konkurrent nga e djathta që po merret me çështje ekonomike dhe tema të tjera socialdemokrate.”
Sistem i ri zgjedhor
Baden-Württemberg është një nga rajonet më të forta ekonomikisht në Evropë, me një papunësi të ulët dhe kompani të fuqishme, veçanërisht ato familjare. Nga një mijë kompanitë më të mëdha familjare në Gjermani, pothuajse një e pesta janë nga ky land.
Të dielën, votimi do të zhvillohet për herë të parë sipas sistemit të ri zgjedhor. Ashtu si në zgjedhjet federale, çdo qytetar do të ketë dy vota – një votë për kandidatin në zonën e tij zgjedhore me emër dhe mbiemër, e dyta për listën e partisë.
Vota e parë vendos për personelin, por e dyta është më e rëndësishme, sepse numri i përgjithshëm i vendeve shpërndahet në këtë ose atë parti bazuar në përqindje.
Gjithashtu, për herë të parë në këtë land, do të mund të votojnë edhe të rinjtë nga mosha 16 vjeç./DW/