Më shumë se nëntë mijë e gjysmë ton pluhur nga filtrat kanë mbetur në parcelën në afërsi të fabrikës së çelikut “Makstill”, ku ruhen këto mbetje të rrezikshme. Të dhënat u publikuan nga Inspektorati i Mjedisit Jetësor, si plotësim i vendimit nga inspektimi i jashtëzakonshëm, gjatë të cilit u konstatuan parregullsi në ruajtjen e pluhurit plot me metale të rënda nga filtrat, përcjell Gazeta Express nga Prizma.
Pluhuri nga filtrat duhet të ruhet në qese gjigante të mbyllura mirë. BIRN shkroi se disa prej tyre janë të dëmtuara dhe të grisura, ndërsa materiali derdhet në parcelë dhe përbën rrezik për tokën, ujërat nëntokësore dhe nëse ka erë të fortë edhe për ajrin. Pluhuri përmban zink dhe metale të tjera, ndërsa mblidhet nga filtri i furrës së shkrirjes së hekurit të skrapit, i cili është instaluar për ta parandaluar përhapjen e këtyre substancave të rrezikshme në ajër. Inspektorati i konfirmoi këto gjetje.
Sipas tabelës që mund të shihet në uebfaqen e Inspektoratit, nga viti 2015 deri në vitin 2025 filtri i furrës në “Makstill” ka mbledhur 29.877 ton pluhur, ndërsa kompania ka dorëzuar 20.321 ton. Këto të dhëna u publikuan më 21 shkurt të këtij viti, një ditë pas postimit të vendimit nga inspektimi i kryer më 2 shkurt në uebfaqe.
Sipas rregullave pluhuri i filtrit, i quajtur edhe pluhur zinku, duhet t’u dorëzohet kompanive industriale, të cilat mund ta nxjerrin zinkun dhe metalet e tjera prej tij. Ata pastaj e shesin atë si lëndë të parë, duke i lënë vetëm mbetjet jo të rrezikshme. “Makstill” nuk ka një kapacitet të tillë të vetin dhe për këtë arsye duhet t’ua japë kompanive të tjera ose ta eksportojë atë jashtë vendit.
Nga të dhënat në tabelë nuk mund të përcaktohet saktësisht nëse një pjesë e pluhurit nga “Makstill” ka ndejtur në parcelën e hapur për më shumë se 36 muaj, maksimumi i lejuar nga leja ekologjike e integruar A, por është e qartë se për katër vjet nuk është bërë eksport.
Por, nga imazhet satelitore mund të shihet se pjesë të parcelës nuk kanë ndryshuar aspak për më shumë se tre vjet, ndërsa edhe në terren mund të shihet se disa nga qeset janë shumë të vjetra dhe kanë qenë të ekspozuara ndaj kushteve të motit për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, drejtoresha e “Makstill”, Marija Dukovska-Pavllovska, për BIRN tha se vitet e fundit ata e kanë eksportuar kryesisht pluhurin e sapokrijuar, sepse përpunuesit atë e kanë parapëlqyer.
Edhe pse “Makstill” ka obligim ligjor që t’i raportojë sasitë e çdo lloji të mbetjeve industriale që i gjeneron, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor që t’i ruajë këto të dhëna, ato deri më tani nuk janë vënë në dispozicion të publikut. BIRN i kërkoi ato si nga kompania ashtu edhe nga institucionet, por nuk mori përgjigje.
Në vend të kësaj, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dorëzuan vetëm informacion mbi lejet e lëshuara për eksportin e pluhurit të filtrit, të cilat nuk korrespondojnë me gjendjen reale. Sipas Ministrisë, në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2025 janë lëshuar vetëm tre leje të tilla për eksportin e 5.000 ton pluhur në Kinë, 10.000 ton në Kore dhe 2.000 ton në Bullgari. Por, se nuk ka pasur eksport në Kore konfirmojnë si nga “Makstill” ashtu edhe statistikat shtetërore, ndërsa eksporti në Bullgari është disa herë më i lartë se sasitë për të cilat institucioni kompetent thotë se ka dhënë leje.
Për kërkesën për sqarim të të dhënave të dorëzuara, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor na udhëzuan që informacion të kërkonim nga Drejtoria e Doganave, duke treguar një kod konkret doganor sipas të cilit eksportohet pluhuri i filtrit. Ky informacion hapi një konfuzion të ri, sepse “Makstill” ka eksportuar pluhur me një kod ndryshe nga ai që e përmendën nga Ministria.
Gjatë inspektimit të jashtëzakonshëm, i cili u realizua pas indikacioneve të BIRN për mënyrën e ruajtjes së pluhurit të rrezikshëm, Inspektorati konstatoi shkelje të kategorisë më të lartë, të tretë, e cila, përveç afateve për zgjidhjen e problemit, parashikon edhe një gjobë të lartë. Kjo do të precizohet në periudhën e ardhshme në procedurën e zgjidhjes që do të udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit Jetësor. Procedura është caktuar për të enjten, më 5 mars.
tag_katrorimaqedoni_2