Çështja e një mandati të dytë për pozitën e shefes së shtetit, ka rikthyer çarjen e madhe në mes të kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit.
Partia që Kurti drejton ka propozuar Glauk Konjufcën për president dhe jo Vjosa Osmanin.
Sipas shefes së stafit të Osmanit, Learta Hollaj, ka ndodhur një ndryshim i qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje përgjatë rrugës.
“Padyshim që nënshkrimet do t’i pranonim nëse ato do të vinën edh me 57 votat e Vetëvendosjes, ashtu siç ka qenë marrëveshja fillimisht. Është interesante se gjërat kanë ndryshuar gjatë rrugës, kështu që po ofertën do ta pranonim, por oferta duhet të jetë me vota, sepse presidentja Osmani në këtë garë hyn për t’u rizgjedhur”, është shprehur Hollaj në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së.
Hollaj ka treguar se kreu i LVV-së, Albin Kurti, i kishte kërkuar Osmanit që të futej si kundërkandidate e Glauk Konjufcës, në mënyrë që të fajësohej opozita në rast të dështimit të zgjedhjes.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”, kishte shkruar Hollaj të mërkurën.
Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, i ka kërkuar Vjosa Osmanit që të matet në Parlament me Glauk Konjufcën.
“Nëse Vjosa Osmani beson se ka më shumë mbështetje sesa Glauk Konjufca, ne jemi të gatshëm t’i japim firmat në mënyrë që ai të kandidojë dhe ta provojë këtë mbështetje. Është Kuvendi që vendos dhe aty matet vullneti”, ka shkruar Kryeziu.
Duke parë këtë situatë dhe lëvizjet e Kurtit, Osmani sot ka njoftuar se ka dërguar në Kuvendin e Kosovës amandamentet për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që presidenti të zgjidhet direkt nga populli./GazetaExpress/