Një dron iranian goditi një aeroport të Azerbajxhanit pranë kufirit të përbashkët të të dy vendeve, duke shënuar herën e parë që një shtet në Kaukaz është shënjestruar nga Irani që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Teheranit.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se droni goditi ndërtesën e terminalit në një aeroport në Nakhçivan, një enklavë Azerbajxhani në kufi me Iranin, duke dëmtuar një pjesë të kompleksit dhe duke plagosur dy civilë, raporton The Guradian, transmeton Gazeta Express.
Azerbajxhani thirri të dërguarin iranian pas kësaj ngjarje.
“Një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit në republikën autonome të Nakhçivanit, ndërsa një dron tjetër ra pranë një ndërtese shkolle në fshatin Shakarabad,” tha ministria e jashtme e Azerbajxhanit në një deklaratë.
“Ne i dënojmë fuqimisht këto sulme me dron të nisura nga territori i Republikës Islamike të Iranit, të cilat rezultuan në dëmtime të ndërtesës së aeroportit dhe plagosje të dy civilëve.
Por, forcat e armatosura iraniane mohuan nisjen e një sulmi me dron ndaj Azerbajxhanit.
“Republika Islamike e Iranit… mohon se forcat e saj të armatosura nisën një dron drejt Republikës së Azerbajxhanit”, tha shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim e Iranit.
Duke ia atribuar sulmin Izraelit, ai tha: “Veprime të tilla nga regjimi sionist për të prishur marrëdhëniet mes vendeve myslimane përmes mjeteve të ndryshme janë të mirë-dokumentuara”.