Gjykata Kushtetuese hap çështjen për emrat shqip të rrugëve në Tetovë - Gazeta Express
string(69) "gjykata-kushtetuese-hap-ceshtjen-per-emrat-shqip-te-rrugeve-ne-tetove"

Maqedoni

Gazeta Express

05/03/2026 13:40

Gjykata Kushtetuese hap çështjen për emrat shqip të rrugëve në Tetovë

Maqedoni

Gazeta Express

05/03/2026 13:40

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka hapur lëndë për emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke rikthyer në vëmendje një çështje të ndjeshme që lidhet me përdorimin e gjuhës shqipe në hapësirën publike.

Nisma është paraqitur nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941–1945, e cila pretendon se Këshilli i Komunës së Tetovës në vitin 2007 ka ndryshuar emrat e disa rrugëve pa marrë pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, të miratuar në vitin 2004.

Sipas nismëtarëve, Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë që emrat e rrugëve duhet të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik. Ata kundërshtojnë përdorimin e emrave si “Kongresi i Manastirit” apo “Dëshmorët e Kombit”, duke argumentuar se këto emërtime janë në gjuhën shqipe dhe, sipas tyre, duhet të përkthehen në maqedonisht që të kenë kuptim në gjuhën zyrtare të shtetit.

Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë ka qenë shpesh objekt debatesh politike dhe përplasjesh institucionale. Procesi i riemërimit të rrugëve, i nisur gjatë mandatit të administratës komunale 2021–2025, nuk arriti të përfundojë dhe u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale. Në janar të këtij viti është riformuar edhe grupi i punës që merret me këtë proces.

Ndërkohë, në këtë proces nuk përfshihet ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ndonëse në vitin 2022 ishte promovuar një nismë më e gjerë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komuna e Tetovës, e cila synonte ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike.

Edhe pse disa rrugë në Tetovë tashmë mbajnë emra në gjuhën shqipe dhe përdoren nga Komuna gjatë komunikimit me qytetarët, në dokumentet zyrtare vazhdojnë të figurojnë emërtimet e vjetra të mbetura nga periudha e ish-Jugosllavisë.

Nisma të ngjashme për emërtimin e rrugëve në Tetovë janë paraqitur edhe më herët, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka arritur të përfundojë plotësisht procesin.

Advertisement
Advertisement
Advertisement