Lufta në Iran ende nuk ka asnjë ndikim në tregun dhe ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Kështu thotë Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi i cili i siguron qytetarët se në rast se do të jepen efektet e kësaj lufte në ekonominë e vendit tonë, ministria që ai udhëheq por edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të marrin masa konkrete dhe transparente në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Durmishi thotë se të gjithë funksionarët qeveritarë me vëmendje të lartë po i ndjekin të gjitha zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjërë.
Edhe nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale njoftuan se rezervat shtetërore të naftës janë të qëndrueshme dhe është siguruar një fluks i sigurt dhe import i derivateve nga disa burime dhe vende të ndryshme. Nga atje theksojnë se Agjencia për Rezervat e Detyrueshme – monitoron vazhdimisht dhe mirëmban rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve, duke garantuar siguri në furnizim, stabilitet të tregut dhe gatishmëri për reagim të menjëhershëm në rast të ndonjë ndërprerjeje të importit apo furnizimit.
Nga ana tjetër njohësi i mirë i çështjeve ekonomike, akademiku Abdylmenaf Bexheti i tha Televitionit Koha se pas luftës në Iran si dhe problemet në Kanalin e Hormuzit, rritja e çmimit të derivateve të naftës është e pashmangshme. Sipas tij, shtrenjtimi i naftës më pak shkakton efekt zinxhirorë duke shtrenjtuar çdo gjë tjetër.
Megjithëse situata aktuale paraqitet e qëndrueshme, zhvillimet ndërkombëtare mbeten faktor i paparashikueshëm për ekonominë vendase. Qëndrueshmëria do të varet nga kohëzgjatja e krizës dhe lëvizjet në tregjet globale, ndërsa institucionet dhe ekspertët mbeten në pritje të efekteve të mundshme në periudhën në vijim.
tag_katrorimaqedoni_2