Dimitrievski: Është e palejueshme që Grubi të jetë në arrest shtëpiak - Gazeta Express
string(68) "dimitrievski-eshte-e-palejueshme-qe-grubi-te-jete-ne-arrest-shtepiak"

Maqedoni

Gazeta Express

03/03/2026 10:31

Dimitrievski: Është e palejueshme që Grubi të jetë në arrest shtëpiak

Maqedoni

Gazeta Express

03/03/2026 10:31

Është e palejueshme që Artan Grubi të jetë në arrest shtëpiak, vlerësoi sonte kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, raporton MIA.  Në emisionin në TV Sitel, Dimitrievski theksoi se ZNAM ka marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët e saj të koalicionit, se me kryeministrin ende nuk ka biseduar për rikonstruim, as për resore dhe as për emra konkretë, dhe se është absolutisht i kënaqur me dy ministrat e tij, të Drejtësisë dhe Administratës Publike, të cilët, siç përmendi, janë maksimalisht të përkushtuar ndaj reformave.

Dimitrievski është i vendosur që ZNAM nuk do të pranojë pjesëmarrjen në qeveri, në pjesën përbërëse të së cilës  do të ishte BDI-ja aktuale, siç theksoi, e pareformuar.

“Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, ndërsa Maqedonia si shtet duhet t’i marrë të gjitha sfidat shumë seriozisht dhe nuk duhet të shohim përsëritje. Lidhur me precedentin me Grubin, ministri dërgoi një mesazh të qartë pushtetit gjyqësor dhe prokurorisë sepse kemi parë që shumë raste të tilla janë përsëritur në të kaluarën. Nëse keni një person që është arratisur nga vendi, dhe ndërkohë ka raportuar se ka dalë për shëtitje dhe është kthyer  pas muajsh, është e palejueshme ta lini në arrest shtëpiak, dhe nga ana tjetër të shihni njerëz në paraburgim për vepra shumë të vogla penale” porositi Dimitrievski lidhur me kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Fillkov, MPB dhe ASK për të dhënë informacion publik se si e kanë vlerësuar se Grubi nuk është i sigurt në paraburgim.

Sipas kryetarit të ZNAM, ka pasur një keqkuptim midis institucionit të paraburgimit dhe shërbimeve të sigurisë, dhe ata duhet të japin një përgjigje të qartë, ndërsa ministri ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij.

Çështja për zgjedhje të parakohshme të mundshme, ai theksoi se pyetja duhet t’i shtrohet kryeministrit.

Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, kryetari i ZNAM konsideron se tashmë ka dhe do të ketë pasoja ekonomike.

“Ne duhet t’u përmbahemi partnerëve tanë në NATO dhe partnerëve tanë strategjikë dhe të mbrojmë qytetarët tanë në rajonin e Lindjes së Mesme, me të cilët unë, si kryetar komune, mbaj kontakte të rregullta me ta”, theksoi Dimitrievski.

Më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.

Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin. Pas reagimeve në opinion, Prokuroria u arsyetua se vendimi është bazuar në informacione nga MPB dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare se siguria e tij nuk mund të garantohet në paraburgim.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.

Advertisement
Advertisement
Advertisement