Në një depo 6,000 metra katrorë në Budapest, e ndarë në 40 hapësira performuese në disa nivele, miti dhe akrobacia takohen në një përvojë që sfidon çdo përkufizim tradicional të skenës.
Në njërën anë shtrihen rrënojat e Trojës; në tjetrën, Kartagjena. Në qendër, një labirint i errët; lart, perënditë që zbresin mes njerëzve. Estetika? Një përzierje mes distopisë steampunk dhe kabaretit berlinez.

Kjo është Walk My World, shfaqja më e re e regjisorit hungarez Bence Vági, që është kthyer në një nga atraksionet më të kërkuara të kryeqytetit hungarez. Gjysmë cirk modern, gjysmë teatër zhytës, me elemente vallëzimi e kabareje, ajo konsiderohet si prodhimi më i madh i teatrit “immersive” në Evropë.
Teatër pa skenë, pa rrjetë sigurie
Spektatori nuk ulet në një karrige përballë skenës. Ai endet. Hyn në një bar me drita neoni ku dy akrobatë rrotullohen mbi litarë; ngjit një shkallë spirale drejt një perëndeshe që varet nga flokët mbi një pishinë; humbet në korridore ku përbindësha tërheqin viktimat drejt errësirës. Nuk ka vijë ndarëse mes publikut dhe interpretuesve.

Gjatë dy orëve, 26 artistë – secili me historinë e vet – performojnë njëkohësisht. Frymëzimi kryesor vjen nga libri i katërt i “Eneidës” së Virgil, me tragjedinë e Didonës dhe Eneut në qendër, por rrëfimi përfshin edhe figura të tjera mitologjike. Disa skena zgjasin mbi 30 minuta, të tjera vetëm pak çaste. Disa janë solo; të tjera ndërthurin xhonglerë, akrobatë ajrorë, gjimnastë dhe valltarë.
Nga Hungaria komuniste te skena ndërkombëtare
Vági, themelues i kompanisë së cirkut bashkëkohor Recirquel, u rrit mes dy botëve: Hungarisë komuniste dhe Gjermanisë Perëndimore, ku familja e tij u zhvendos pas arratisjes së të atit sportist. Kontakti i parë me skenën ishte cirku – një formë arti e inkurajuar në vendet sovjetike si argëtim “i sigurt” ideologjikisht.

Më pas ai studioi në Liverpool Institute for Performing Arts, i bashkëthemeluar nga Paul McCartney. Në Festivalin e Edinburgut u ndikua nga kompania britanike NoFit State Circus, që e fshinte kufirin mes publikut dhe artistëve. Prej aty lindi ideja për të krijuar një formë të re: “cirque danse” – një bashkim i lirisë së vallëzimit me aftësitë mbinjerëzore të cirkut.
Kompania e tij gjeti mbështetje te qendra kulturore Müpa Budapest dhe fitoi vëmendje ndërkombëtare me produksione si IMA (Pray), e vlerësuar në Edinburg, dhe Paradisum, aktualisht në turne.
Art dhe politikë
Gjysma e buxhetit të Walk My World financohet nga qeveria hungareze, çka ka ngritur pikëpyetje për lirinë artistike nën qeverisjen e Viktor Orbán. Megjithatë, Vági këmbëngul se nuk i është imponuar asnjë kufizim, duke përmendur shfaqjen My Land me artistë ukrainas, e cila pas shpërthimit të luftës u kthye në Budapest me flamurin ukrainas në skenë dhe me mbledhje fondesh.
Në rrëfimet e ndërthurura të shfaqjes ka edhe personazhe LGBTQ+, përfshirë një duet prekës mes ushtarëve trojanë Nisus dhe Eurialus. Vági është i hapur për identitetin e tij dhe thotë se do të largohej nga vendi nëse dikush do t’i diktonte përmbajtjen artistike.

Një makineri gjigante emocionale
Kompleksiteti i produksionit është marramendës. Çdo interpretues ndjek një itinerar të programuar me saktësi, i ndihmuar nga ora inteligjente e fshehur nën kostum për të kapur sinjalet dhe hyrjet në kohë. Në finale, të gjithë konvergojnë në një skenë spektakolare me një “Russian swing” – një strukturë gjigante që lejon akrobatët të fluturojnë lart në ajër në një sekuencë marramendëse.
Pastaj ritmi ndryshon. Tragjedia e Didonës dhe Eneut luhet në ajër, në një vallëzim të dhimbshëm me litarë. Për herë të parë, publiku qëndron i palëvizshëm. Nuk ka thikë, nuk ka turrë drush; Didona bie në labirint ndërsa Eneasi zhduket në lartësi.
Në këtë kontrast mes spektaklit fizik dhe intimitetit emocional qëndron forca e vizionit të Vágit: një teatër që nuk shikohet nga jashtë, por përjetohet nga brenda. Ai e përkufizon “immersive” si momentin kur lexuesi hyn në botën e librit – si te “The Neverending Story”.
Dhe në Budapest, kjo botë tashmë ka një adresë. /GazetaExpress/