Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se nuk është diskutuar për emra të përveçëm për President në takimin që e pati në Kuvend me kryeministrin Albin Kurti.
Ai tha në një deklaratë për media se “nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje, me sa po kuptoj”.
“Tani duhet të presim dy-tre ditët e ardhshme për të kuptuar vendimin e kryeministrit Kurti”, tha ai.
I pyetur për presidenten Vjosa Osmani, e cila po kërkon edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, Abdixhiku tha se në asnjërin takim “nuk ka qenë prezent një emër i tillë”. Ai tha se “LDK-ja me 15 deputetë as s’mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë, e besa as s’mund të nominojë dikë”.
“Ne nuk kemi qëndrim për emra të përveçëm, por s’kemi thënë asnjëherë që kemi apo s’kemi votë për Vjosa Osmanin”.
U pyet edhe nëse është takuar me Osmanin.
“Natyrisht që jam takuar, si s’jam takuar”, tha.
Abdixhiku tha se “nëse s’kemi pasë marrëveshje politike, s’kemi kandidat”.
“Unë do të prisja që ne partitë politike të diskutonim për emra, por s’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte as vullnet për konsensus”, tha ai.
Kreu i LDK-së tha se LDK-ja “s’mund të ketë nënshkrime për askënd”, sepse s’mjaftojnë.
“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjerë. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, tha ai.