Gjenerali Dan Caine ofroi një kronologji të detajuar të operacionit, përfshirë mesazhin që Komanda Qendrore mori nga Presidenti Donald Trump kur ai dha miratimin përfundimtar, raporton CNN.
“Në orën 15:38, 3:38 pasdite, të premten, më 27 shkurt, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, përmes Sekretarit të Luftës, mori miratimin përfundimtar nga Presidenti Trump”, tha Caine.
“Presidenti udhëzoi, dhe citoj, ‘Operacioni Epic Fury është miratuar. Nuk ka ndërprerje. Fat të mbarë. Mbylle’”.
Kjo kronologji nënkupton se Trump ishte në bord të Air Force One, në rrugë për në Teksas, kur dha urdhrin. Trump u ul në Corpus Christi, Teksas, në orën 15:50 ET.
Në fjalimin e tij më vonë atë ditë, Trump sugjeroi se mendimi i tij nuk ishte plotësisht i vendosur.
“Ne kemi një vendim të madh për të marrë”, u tha një turme në Corpus Christi, ku po promovonte agjendën e tij të energjisë. Ai tha se vendimi “nuk është i lehtë” dhe shtoi se Irani ka qenë prej kohësh i angazhuar në sjellje të dëmshme.