Hasani: Nëse presidenti zgjedhet pas 5 marsit është shkelje e Kushtetutës, VV-ja po synon që Haxhiun ta bëjë U.D - Gazeta Express
string(110) "hasani-nese-presidenti-zgjedhet-pas-5-marsit-eshte-shkelje-e-kushtetutes-vv-ja-po-synon-qe-haxhiun-ta-beje-u-d"

Lajme

Gazeta Express

02/03/2026 13:38

Hasani: Nëse presidenti zgjedhet pas 5 marsit është shkelje e Kushtetutës, VV-ja po synon që Haxhiun ta bëjë U.D

Lajme

Gazeta Express

02/03/2026 13:38

Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nëse presidenti zgjedhet pas datës 5 mars, kjo do të ishte shkelje flagrante e Kushtetutës.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hasani ka deklaruar se është e vërtetë që nuk shkohet në zgjedhje me automatizëm nëse shkelet afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë, ai ka theksuar se çdo zgjedhje e presidentit pas datës 5 mars, është shkelje e Kushtetutës.

“Një zgjedhje e tillë sigurisht që është kundërkushtetuese, sepse bie ndesh drejtpërdrejt me dispozitën e qartë kushtetuese që urdhëron zgjedhjen e presidentit 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, nëse një vendim i tillë nuk sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë presidenti i ri, i zgjedhur pas datës 5 mars, e merr detyrën ditën e nesërme kur i skadon mandati zonjës Vjosa Osmani”, ka thënë Hasani

Hasani më tutje ka theksuar se vendi shkon në zgjedhje me automatizëm kur asnjëri kandidat nuk merr 62 vota, me kusht që në votim të kenë marrë pjesë 80 deputetë.

Idenë e VV-së që procesi të pezullohet e të kërkohet masa e përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, Hasani e quan si abuzim. Sipas tji, qëllimi është që Haxhiu të bëhet Ushtrues Detyre e Presidentes.

“Është shenjë e qartë për synimin për abuzim dhe shkelje të rendit kushtetues, siç ka bërë LVV gjatë tërë vitit të kaluar dhe në pjesën dërrmuese të aktivitetit të saj politik. Afati ende nuk është shkelur. Duhet të zgjidhet presidenti! Nuk ka nevojë për shkelje të Kushtetutës së Kosovës përmes riinterpretimeve destruktive, të cilat gjithmonë janë të mundura”, tha Hasani.

Profesor Hasani, patëm një pretendim nga ish-zv/ministri Blerim Sallahu, i cili tha se vendi nuk shkon në zgjedhje automatikisht nëse nuk zgjidhet presidenti si pasojë e mosqëndrimit të deputetëve në seancë. A mund ta elaboroni këtë situatë?

HASANI: Është e vërtetë kjo që paska thënë zoti Sallahu. Sipas Kushtetutës, nuk shkohet në zgjedhje nëse për çfarëdo arsye Kuvendi futet në zonën gri të tridhjetë ditëve para skadimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani. I vetmi rast kur në këtë fazë do të mund të shkohej në zgjedhje është sikur të ekzistonte një konsensus absolut për një gjë të tillë, por ajo do të duhej të bëhej me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me dy të tretat e votave. Pra, sërish jo me automatizëm si pasojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor para skadimit të mandatit të presidentit aktual.

Në cilat raste vendi shkon në zgjedhje, ndërlidhur me situatën e presidentit të shtetit?

HASANI: Në çdo situatë kur asnjëri prej dy ose më shumë kandidatëve nuk fiton shumicën absolute prej 62 votash, me kusht që në dy raundet e para në votim të kenë marrë pjesë 80 deputetë.

Si e komentoni idenë e Sallahut që procesi duhet të pezullohet nëse deputetët nuk qëndrojnë në sallë dhe të kërkohet sqarim apo interpretim nga Gjykata Kushtetuese?

HASANI: Është shenjë e qartë për synimin për abuzim dhe shkelje të rendit kushtetues, siç ka bërë LVV gjatë tërë vitit të kaluar dhe në pjesën dërrmuese të aktivitetit të saj politik. Afati ende nuk është shkelur. Duhet të zgjidhet presidenti! Nuk ka nevojë për shkelje të Kushtetutës së Kosovës përmes riinterpretimeve destruktive, të cilat gjithmonë janë të mundura. Në praktikën kushtetuese të vendeve të Evropës ekziston doktrina madhore e lojalitetit ndaj Kushtetutës, e cila duhet të zbatohet nga të gjithë. Për fat të keq, LVV ka një histori të errët në këtë drejtim.

Nëse presidenti zgjidhet pas datës 5 mars, a është zgjedhja kundërkushtetuese kjo vendimmarrje me automatizëm?

Një zgjedhje e tillë sigurisht që është kundërkushtetuese, sepse bie ndesh drejtpërdrejt me dispozitën e qartë kushtetuese që urdhëron zgjedhjen e presidentit 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, nëse një vendim i tillë nuk sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë presidenti i ri, i zgjedhur pas datës 5 mars, e merr detyrën ditën e nesërme kur i skadon mandati zonjës Vjosa Osmani.

A i bie që deputetët që nuk qëndrojnë në sallë kur votohet për president, e shkelin Kushtetutën?

HASANI: Shkelje dhe abuzim me Kushtetutën është kur partia që ka mundësi të propozojë dy ose më shumë kandidatë, vetëm ose në koalicion me të tjerët, nuk e bën një gjë të tillë. Pa ndodhur kjo rrethanë, nuk mund të dihet nëse deputetët marrin pjesë në votim ose jo. Kuvendi, siç dihet, ka kuorum kur janë të pranishëm 61 deputetë.

Si e vlerësoni, a po synohet një tjetër krizë politike, duke e kthyer Gjykatën Kushtetuese në adresë për interpretime të tjera?

HASANI: Pa asnjë dyshim që qëllimi është tejkalimi i afatit tridhjetëditor dhe marrja e pozitës së shefit të shtetit përmes Ushtruesit të Detyrës, që sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli i takon zonjës Albulena Haxhiu.

Advertisement
Advertisement
Advertisement