Diego Maradonës njëherë i refuzuan hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një ofendimi ndaj Donald Trump, sipas avokatit të tij.
Maradona kishte marrë fillimisht një ndalim nga SHBA-ja pas rezultatit pozitiv për efedrin në Kuoën e Botës të 1994, ku Argjentina u mposht nga Rumania në 1/8 e finales.
Pas një fitoreje 2-1 ndaj Nigerisë në fazën e grupeve, Maradona u thirr për një test të rastësishëm doping dhe rezultati pozitiv bëri që ai të pezullohej menjëherë dhe të kthehej në shtëpi.
FIFA e pezulloi Maradonën për më shumë se një vit, por një test tjetër i dështuar në 1995 çoi në revokimin e vizës së tij nga SHBA-ja.
Ndalimi u hoq më 2009 dhe Maradona u kthye në SHBA si trajner i Argjentinës.
Megjithatë, nëntë vjet më vonë, fituesi i Kupës së Botës përsëri nuk u lejua të hynte në vend për shkak të një komenti ndaj Trump, i cili ishte në mandat të parë si President.
Sipas avokatit të tij, Matias Morla, Maradona u këshillua të mos fliste për SHBA-në gjatë një interviste për rrjetin venezuelian “TeleSur”. Por ai nuk e ndoqi saktësisht udhëzimin dhe, duke përkthyer lirshëm, e quajti Trump “chirolita” (shprehje për “budalla” ose “kukull”), dhe pati pasoja.
Duke folur për “Buenos Dias America” në Argjentinë, Morla tha: “Mund ta imagjinoni, isha në ambasadë dhe i thashë ‘Diego, të lutem mos flisni për Shtetet e Bashkuara’. Sepse intervista ishte me ‘TeleSur’ dhe e di si shkojnë këto gjëra. Dhe pyetja e dytë ishte ‘Çfarë mendoni për Donald Trump?’ Ai tha ‘Donald Trump është një chirolita?’ Pas kësaj, i thashë që do të duhet ta përfaqësoj në Miami në vend”.
Maradona kishte planifikuar të udhëtonte në SHBA për një çështje gjyqësore në Miami që përfshinte ish-gruan e tij të 14 viteve, Claudia Villafane.
Sipas “Daily Mail”, Villafane akuzohej se kishte vjedhur para nga ikona e ndjerë e Napolit dhe i kishte përdorur për të blerë apartamente luksoze në “Magic City”.
Më 2017, Maradona e kishte quajtur Trump “komik” dhe “karikaturë” në një intervistë me RT në Rusi dhe tha se zakonisht “ndryshonte kanalin” nëse ai dilte në televizor.
Diego Maradona vdiq nga një sulm në zemër në nëntor 2020, disa ditë pas një operacioni të trurit për një mpiksje gjaku.
Anëtarë të ekipit të tij mjekësor u akuzuan për neglizhencë dhe një gjyq që filloi më 2024 vazhdon ende./GazetaExpress/