Sjellja e Roman Abramovichit ndaj një trajneri gjatë periudhës së tij si pronar i Chelseat është përshkruar si “e çmendur”.
Abramovich e bleu Chelsean në vitin 2003 dhe investimet e tij të mëdha e shndërruan klubin në një superfuqi globale brenda dhe jashtë fushës.
Gjatë 19 viteve të tij të mbushura me trofe, Chelsea fitoi pesë tituj të Premierligës, tri Kupa të Ligës dhe dy herë Ligën e Kampionëve.
Shumë trajnerë punuan gjatë epokës së Abramovichit, përfshirë Jose Mourinhon, Carlo Ancelottin dhe Antonio Conten. Po ashtu edhe Frank Lampardi, i cili zëvendësoi Maurizio Sarrin në verën e vitit 2019.
Megjithatë, pavarësisht statusit të tij si ikonë e klubit falë karrierës legjendare si lojtar në “Stamford Bridge”, Lampardi nuk pati asnjë bisedë të vetme me Abramovich gjatë kohës që ishte trajner.
Kështu pretendon ish-lojtari dhe trajneri i Chelseat, Jody Morris, i cili thotë se drejtoresha Marina Granovskaia drejtonte klubin.
Morris, që ishte pjesë e stafit të Lampardit, deklaroi në podcastin “All Out Football”: “Ai (Lampard) nuk pati asnjë bisedë me Roman (Abramovich) gjatë gjithë kohës që ishte aty. Gjatë gjithë periudhës kur u rikthyem, Marina (Granovskaia) po e drejtonte klubin. Frank Lampardi është trajner i Chelseat dhe nuk pati asnjë bisedë me Romanin si trajner”.
I habitur nga kjo deklaratë, Joleon Lescott ndërhyri: “Po e thua këtë tani, dhe unë po mendoj që kjo është e çmendur.”
Morris shtoi: “Ai kishte biseda kur ishte lojtar i Chelseat, por pastaj kthehesh si trajner dhe nuk pati asnjë bisedë, edhe pse ai donte.”
Ndryshe nga periudha e tij si lojtar, Lampardi pati një aventurë të vështirë si trajner, pasi klubi ishte nën ndalim transferimesh kur ai mori drejtimin.
Ai u shkarkua në janar 2021 pas një takimi me kryetarin Bruce Buck dhe Granovskaian.
Sipas raportimeve të “Sky Sports”, Lampard nuk pati mundësinë t’u thoshte personalisht lamtumirë lojtarëve pas vendimit të klubit për ta shkarkuar.
Raporti gjithashtu konfirmon pretendimin e Morris, duke theksuar se ishte Granovskaia – dhe jo Abramovichi – ajo që ua komunikoi lajmin lojtarëve në qendrën stërvitore.
Lampardi u zëvendësua nga Thomas Tuchel./GazetaExpress/