Mostrat nga deponia me fosfogips e ish-fabrikës së plehrave artificiale HIV Veles, pranë fshatit Zgropolci, po shqyrtohen në kuadër të një projekti të Institutit të Ndërtimtarisë Maqedoni (INM) dhe laboratorëve e institucioneve shkencore evropiane. Qëllimi, siç njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor, është të analizohet përbërja e mbetjeve historike për të shfrytëzuar përvojën e vendeve evropiane në zgjidhjen e këtij lloji të deponive, por edhe për të hulumtuar potencialin për ripërdorimin e mbetjeve të fosfogipsit. Ideja është të zhvillohen metoda për përdorimin e mbetjeve për prodhimin e lëndëve të para për industritë e letrës, çimentos, baterive, plehrave dhe detergjenteve, përcjell Gazeta Express nga Meta.mk.
Mostrat e mbetjeve janë ekzaminuar në laboratorë në vendin tonë si dhe në Kanada, Belgjikë dhe vende të tjera, ku është kryer karakterizimi kimik, mineralogjik dhe radiologjik. Hulumtuesit përdorën një gamë të gjerë metodash shkencore për të studiuar materialin e mbetjeve, ku në mostrat e marra nga deponia në Zgropolci u kryen analiza radiologjike duke përdorur spektrometrinë gama dhe teknika radiokimike, si dhe monitorim të mjedisit jetësor përmes ekzaminimit të radonit në ajër dhe pluhurit nga grimcat PM-10 të matura në lokacione rreth deponisë, përfshirë vendet e trashëgimisë kulturore. Së bashku, këto metoda japin një pamje të plotë si për materialin, ashtu edhe për ndikimin e tij në mjedis.

Rezultatet tregojnë se materiali përmban elemente të rralla të tokës, gjë që e bën atë potencialisht të vlefshëm, por kërkohet menaxhim i kujdesshëm. Vitin e kaluar, ekzaminimet e radioaktivitetit të kryera nga një institut belg treguan se fosfogipsi përmban nivele të rritura të radioaktivitetit natyror, veçanërisht nga urani, radiumi, plumbi dhe bizmuti, me aktivitet alfa dhe beta që janë dukshëm më të larta në krahasim me tokën natyrore.
Megjithatë, nga INM theksojnë se doza e jashtme e rrezatimit për njerëzit që qëndrojnë pranë lokacionit mbetet e ulët dhe nën kufijtë ndërkombëtarë të sigurisë, që do të thotë se mbetjet e fosfogipsit nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm rrezatimi për banorët e vendbanimeve përreth. Nga ana tjetër, ekzaminimet përcaktuan se fosfogipsi nuk është i sigurt për t’u përdorur si material ndërtimor në hapësira të mbyllura, pasi radioaktiviteti mund të grumbullohet në ambientet e mbyllura.
Lidhur me përdorimin e mundshëm të mbetjeve në produkte të reja, ekzaminimet laboratorike shtesë janë në vijim, ndërsa vlerësimi përfundimtar për përputhshmërinë me standardet evropiane do të sillet pas marrjes dhe testimit të produkteve finale. Ekzaminimet treguan gjithashtu se deponia ndodhet në një zonë aktive tektonike dhe baza është e depërtueshme, gjë që krijon rrezik të infiltrimit në tokë ose në ujërat nëntokësore, ndërsa erërat në luginën e Vardarit mund të shpërndajnë grimca dhe pluhur të imët gipsi, të cilat janë detektuar disa kilometra larg, përfshirë edhe në lokalitetin arkeologjik Stobi.

Projekti FIC-Fighters filloi në qershor 2024 dhe do të zgjasë 4 vjet, i financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të programit HORIZON, me pjesëmarrjen e 26 partnerëve nga e gjithë Evropa. Gjashtë studimet e rasteve ndodhen në Portugali, Kroaci, Serbi, Rumani, Maqedoni e Veriut dhe Spanjë. Qëllimi është të demonstrohen zgjidhje ciklike dhe sistemike për mënjanimin e deponive të fosfogipsit në Evropë, ndërsa në tetor do të lëshohet një portal falas online me të dhëna për sasitë, karakterizimin e materialit, nivelet e radioaktivitetit dhe informacione të tjera.
Deponia, e cila është pjesë e listës së pikave të nxehta ekologjike në vend, shtrihet në një sipërfaqe prej 70,000 metrash katrorë dhe përmban 3.7 milionë tonë fosfogips, i depozituar në periudhën nga viti 1979 deri në vitin 2003.

Ministria e Mjedisit Jetësor pret që projekti të japë përgjigje se sa do të kushtonte pastrimi i lokacionit, duke vënë në dukje se rreth 500 kilogramë fosfogips nga Velesi janë marrë si mostra për analizë. Megjithatë, deponia që qëndron e pambrojtur prej dekadash ende nuk është e rrethuar dhe nuk ka asnjë plan për rrethimin e saj, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve se rrezatimi është në kufirin e vlerës maksimale. Profesori Trajçe Stafilov thekson se radiacioni prej rreth 500 bekerel për kilogram nuk është problem për kalimtarët, por paraqet rrezik për personat që qëndrojnë aty për periudha të gjata, si për shembull punëtorët që do të angazhoheshin për pastrimin e deponisë, të cilët do të duhej të merrnin masa mbrojtëse.
Detyrimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje mbetet i shtetit, përkatësisht Ministrisë së Mjedisit Jetësor, pasi ish-kapaciteti industrial që krijoi mbetjet ishte në pronësi shtetërore. Para më shumë se një dekade e gjysmë pati një iniciativë për eksportimin e gipsit në Slloveni për përpunim, por ai projekt nuk u realizua. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor në vitin 2022 konstatoi se në lokacion nuk ka tabelë njoftuese për rrezik dhe nuk është vendosur rrethojë, megjithëse ka rrugë tokësore të qasshme dhe janë vërejtur gjurmë të bagëtive në rrugën hyrëse të deponisë.
tag_katrorimaqedoni_2
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...