Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të diskutojë gjatë muajit mars statusin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), pas nisjes së një procesi të brendshëm rishikimi në vjeshtën e vitit 2025 lidhur me përputhshmërinë e politikave të saj me vlerat e kësaj force të djathtë evropiane.
SNS është anëtare e asociuar e EPP që nga viti 2016. Rishikimi u ndërmor pas zhvillimeve të fundit në Serbi, përfshirë përplasjet me protestuesit dhe studentët, si dhe akuzat për presion ndaj mediave dhe institucioneve të drejtësisë.
Brenda EPP-së, sipas burimeve jozyrtare, ekziston një marrëveshje parimore që çështja e statusit të SNS të zgjidhet deri në muajin qershor. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Asambleja Politike e EPP-së.
Dy zyrtarë të lartë të EPP-së – sekretarja e përgjithshme Dolors Montserrat dhe nënkryetari Kostis Hatzidakis – janë ngarkuar me hartimin e raportit mbi bazën e të cilit do të merret vendimi.
Sipas disa eurodeputetëve nga partitë anëtare të EPP-së, disponimi ndaj SNS dhe liderit të saj de facto, presidentit serb Aleksandar Vučić, ka ndryshuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
“Për shumicën në EPP, Aleksandar Vuçiç nuk është më një politikan që premton”, ka deklaruar një burim brenda kësaj organizate, duke shtuar se EPP duhet të tregojë qartë se nuk e miraton sjelljen e qeverisë serbe.
Megjithëse askush nuk dëshiron të paragjykojë masat e mundshme – përfshirë edhe përjashtimin nga EPP – burime të shumta theksojnë se disa masa disiplinore janë të pritshme.
Qëndrime të ashpra kanë ardhur veçanërisht nga përfaqësues të CDU-së gjermane. Eurodeputeti Michael Gahler e ka cilësuar Vuçiçin si “të dyfytyrë”, duke e krahasuar me perëndinë romake Janus, për shkak të, siç tha ai, politikës së dyfishtë: deklarime pro integrimit në BE në Bruksel dhe retorikë represive në vend.
Edhe presidenti i EPP-së, Manfred Weber, kishte deklaruar më herët se organizata “nuk është e verbër ndaj pamjeve që vijnë nga Serbia”, duke iu referuar skenave të dhunës gjatë protestave.
Brenda EPP-së po shtohet bindja se Serbia duhet të përcaktohet qartë për rrugën evropiane, ndërsa shumë anëtarë shprehin hapur mosbesim dhe zhgënjim ndaj lidershipit aktual serb.
Vendimi përfundimtar pritet të tregojë nëse EPP do të vazhdojë bashkëpunimin me SNS apo do të ndërmarrë hapa më të ashpër, në një moment kur mbështetja politike për Vuçiçin brenda familjes së konservatorëve evropianë duket në rënie.