Ndjesia e fryrjes, gazrave apo dispepsisë pas ngrënies është shumë e përhapur. Para se të përdorni antacide apo tableta me qymyr aktiv, zgjidhja mund të jetë shumë më e thjeshtë: një shëtitje e lehtë.
Sipas të dhënave, rreth 43% e britanikëve përjetojnë shqetësime tretjeje, shpesh duke fajësuar dietën. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se një ecje e shkurtër pas vaktit mund të ndihmojë në reduktimin e fryrjes dhe përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak.
Në rrjetet sociale kjo praktikë është quajtur me humor “fart walk” – një shëtitje 5–20 minuta pas ngrënies për të nxitur tretjen dhe për të çliruar gazrat e bllokuara.
Sipas trajneres së certifikuar dhe këshilltares ushqimore Deborah Luciano, tretja është një proces që përfshin gjithë trupin, jo vetëm stomakun. Pas ngrënies, organizmi koordinon prodhimin e acidit gastrik, lirimin e enzimave, lëvizshmërinë e zorrëve, qarkullimin e gjakut dhe reagimet hormonale – procese që ndikohen drejtpërdrejt nga lëvizja.
Si ndihmon ecja?
Ecja e lehtë vepron si stimulues natyral i traktit tretës dhe nxit peristaltikën – lëvizjet ritmike muskulore që shtyjnë ushqimin përgjatë zorrëve. Kjo mund të:
Ulë fryrjen dhe presionin abdominal
Ndihmojë në çlirimin e gazrave
Stabilizojë rritjen e glukozës në gjak pas ngrënies
Përmirësojë metabolizmin
Menjëherë pas vaktit, qarkullimi i gjakut përqendrohet tek organet tretëse dhe zorrët fillojnë kontraksione ritmike. Një shëtitje e shkurtër mund të zvogëlojë ndjeshëm rritjen e zakonshme të glukozës që ndodh 30–60 minuta pas ngrënies. Për personat me diabet ose rezistencë ndaj insulinës, kjo është veçanërisht e dobishme.
Çfarë duhet shmangur pas ngrënies?
Shtrirja ose ulja e përkulur menjëherë pas vaktit mund të përkeqësojë tretjen, pasi stomaku i mbushur ushtron presion mbi organet e tjera dhe ngadalëson lëvizjen e zorrëve.
Pirja e duhanit dëmton mukozën e stomakut, rrit prodhimin e acidit gastrik dhe mund të shtojë rrezikun për gastrit apo ulçerë. Po ashtu, nikotina pengon përthithjen e disa lëndëve ushqyese si kalciumi dhe vitamina D.
Ndërsa çaji i mentes mund të ndihmojë, çaji i zi ose jeshil pas vaktit nuk rekomandohet, pasi taninet mund të pengojnë përthithjen e hekurit. Për më tepër, kafeina mund të përkeqësojë ankthin dhe urthin.
Sa duhet të zgjasë ecja?
Edhe 2–5 minuta ecje menjëherë pas ngrënies mund të kenë efekt pozitiv. Rëndësi ka rregullsia, jo intensiteti. Ecjet e shkurtra dhe të përditshme janë më efektive sesa ushtrimet e rralla dhe të gjata.
Nëse nuk keni mundësi për një shëtitje jashtë, alternativa të thjeshta si ngjitja e shkallëve, shtrirje e lehtë, ecje në vend, apo edhe punë të vogla shtëpie mund të ndihmojnë. Qëllimi është të mos qëndroni plotësisht të palëvizshëm menjëherë pas ngrënies.
Për personat që vuajnë nga refluksi, tretja e ngadaltë, kapsllëku ose përgjumja pas vakteve, një shëtitje e lehtë mund të bëjë diferencë të dukshme. Nëse ndiheni shumë të ngopur, prisni 10–15 minuta para se të nisni ecjen, në mënyrë që stomaku të stabilizohet. /GazetaExpress/
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...