Shkencëtarët kanë hedhur dritë mbi arsyen pse gjinjët e grave janë dukshëm më të mëdhenj krahasuar me ato të gjitarëve të tjerë.
Tek shumica e kafshëve, nga qentë te gjirafat, femrat kanë gjëndra qumështore për prodhimin e qumështit, por nuk zhvillojnë ind të përhershëm të theksuar në formë gjoksi. Qumështi zakonisht furnizohet përmes thithave, pa krijuar formën e rrumbullakët dhe të qëndrueshme që karakterizon trupin e grave.
Një studim i ri nga University of Oulu sugjeron se zhvillimi i gjinjve të jashtëm tek njerëzit mund të ketë lidhje me mbijetesën e të porsalindurve. Sipas studiuesve, gjoksi i grave ruan një temperaturë më të lartë, duke ndihmuar në mbrojtjen e foshnjës nga hipotermia. Forma dhe madhësia e tij krijojnë një sipërfaqe të gjerë kontakti lëkurë-më-lëkurë, gjë që përmirëson transferimin e nxehtësisë nga nëna tek fëmija.
Autori i studimit, Juho-Antti Junno, theksoi se kjo mund të ketë rritur shanset e mbijetesës së foshnjave në kushte të vështira mjedisore, duke ofruar një shpjegim evolucionar për zhvillimin e gjinjve të përhershëm tek njerëzit.
Studimi, i publikuar në revistën Evolutionary Human Sciences, nënvizon se forma e theksuar e gjoksit është një tipar unik njerëzor. Deri më tani, nuk ishte e qartë pse evolucioni favorizoi këtë karakteristikë, sidomos duke qenë se madhësia më e madhe e gjinjve lidhet me disa shqetësime shëndetësore, si dhimbjet e shpinës.
Për të testuar hipotezën, studiuesit përfshinë 27 vullnetarë: gra që ushqenin me gji, gra që nuk ushqenin me gji dhe burra. Pjesëmarrësit u ekspozuan për 20 minuta ndaj tre temperaturave të ndryshme (32°C, 27°C dhe 18°C), ndërsa kamera termike matën ndryshimet e temperaturës në zonën e gjoksit.
Rezultatet treguan se gratë që ushqenin me gji kishin temperaturë më të lartë në zonën e gjinjve dhe një “rezistencë të veçantë” ndaj ftohjes. Ato humbën mesatarisht vetëm 2.5°C nga temperatura e sipërfaqes së gjirit, krahasuar me 4.3°C tek burrat dhe 4.7°C tek gratë që nuk ushqenin me gji.
Sipas autorëve, kjo mbështet teorinë se gjinjët e mëdhenj mund të kenë evoluar si një mekanizëm natyror për të ruajtur ngrohtësinë e të porsalindurve. Para zbulimit të zjarrit apo veshjeve mbrojtëse, kontakti trupor ishte burimi më i sigurt i nxehtësisë. Forma e rrumbullakët dhe elasticiteti i gjoksit rrisin ndjeshëm sipërfaqen e kontaktit, duke e bërë transferimin e nxehtësisë më efikas.
Studiuesit planifikojnë të zhvillojnë kërkime të ngjashme edhe tek primatët e tjerë, si shimpanzetë, për të kuptuar më mirë nëse ushqyerja me gji ndikon në temperaturën e kraharorit dhe për të sqaruar origjinën evolucionare të këtij tipari njerëzor. /GazetaExpress/
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...