Pasi bulevardi ‘Industrial’ i njohur ndryshe si ‘Aeroporti i Tetovës’ u lëshua në përdorim pa pranim-dorëzim, sot këshilltarët Komunal të AKI (BDI) kanë paralajmëruar se do të paraqesin kallëzim penal, raporton Portalb.mk.
Këshilltari Berat Murati deklaroi se pasi dorëzuan kërkesë për qasje në informata me karakter publik lidhur me projektin e vazhdimit të Bulevardit Industrial, nga kazerma deri në fshatin Poroj, përgjigjja zyrtare e Komunës së Tetovës ua konfirmoi se kjo rrugë është lëshuar në përdorim pa u kryer pranimi teknik.
“Kjo do të thotë se një projekt prej afro 2.5 milionë eurosh, i financuar me para të taksapaguesve tetovarë, është hapur për qarkullim pa verifikim teknik dhe pa garanci sigurie. Kjo është vepër e rëndë penale dhe rrezik i drejtpërdrejtë për qytetarët. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur shohim se segmenti i lëshuar më herët tashmë paraqet dëmtime të dukshme, që ngre dyshime serioze për cilësinë e punimeve dhe për keqmenaxhimin e mjeteve publike”, tha Murati.
Këshilltarët opozitarë kërkuan revizion të projektit, ndërsa njoftuan se do të parashtrojnë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Tetovë për ketë projekt dhe siç thanë keqpërdorime të tjera.
Që rruga u lëshua në përdorim me nxitim dhe pa pranim-dorëzim e ka konfirmuar vetë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 5 shkurt 2026.
“Ne kemi kërkuar nga operatori që ka realizuar punimet që të lëshojë në përdorim para festave të fundvitit edhe pse formalisht nuk është bërë pranim-dorëzimi i të njëjtit por në bashkëpunim dhe marrëveshje me operatorin jemi dakorduar që ashtu si do paraqiten probleme dhe defekte në rrugë i njëjti ta përmirësojë dhe bulevardi kur do pranohet zyrtarisht nga komuna do të jetë me të gjitha standardet të cilat janë paraparë edhe në marrëveshjen e realizimit”, tha Kasami.
Bulevardi Industrial që e lidh Tetovën me Porojin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, u përurua më 30 dhjetor 2025. Pak ditë më pas u paraqitën gropa, të cilat u mbuluan më pas por që përsëri rruga nuk është rrafshuar mirë. Momentalisht punohet në rregullimin e trotuareve anash rrugës pas rrethrrotullimit.
tag_katrorimaqedoni_2