Victor Osimhen ka pranuar se një transferim te Juventusi mund ta tërheqë në të ardhmen, përpara ndeshjes së kthimit të fazës së “play-offit” në Ligën e Kampionëve të martën në “Allianz Stadium”, ku Galatasaray mban një epërsi bindëse 5-2 nga takimi i parë.
Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes, sipas citimeve të “TuttoSport”, sulmuesi nigerian u pyet për lidhjet e tij të vazhdueshme me Juventusin, pasi në afatet e mëparshme kalimtare ishte përfolur shumë për një transferim të mundshëm, para se ai të përfundonte te Galatasaray.
Përgjigjja e tij ishte e sinqertë.
“Juventusi është një nga klubet më të rëndësishme, me një histori të pasur dhe me shumë legjenda,” tha ai.
“Kur më folën në atë kohë, isha i gatshëm të bashkohesha para se të vinte Galatasaray, por pati disa pengesa dhe transferimi nuk u realizua. Nëse në të ardhmen do të paraqiten mundësi, ka disa klube ku do të doja të luaja, dhe të luash këtu do të ishte privilegj. Por 90% e futbollistëve në botë do të donin të luanin për Juventusin.”
Osimhen foli hapur edhe për vetë ndeshjen, duke theksuar se Galatasaray nuk do ta marrë si të mirëqenë epërsinë.
“Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, sidomos për ta, por ne duam të fitojmë,” tha ai, duke shtuar se skuadra e tij synon të përsërisë paraqitjen e ndeshjes së parë.
Galatasaray fitoi takimin e parë me rezultatin komod 5-2, duke e vënë të gjithë presionin mbi Juventusin për ta përmbysur disavantazhin në Torino të mërkurën.
Sulmuesi nigerian reflektoi gjithashtu mbi mentalitetin që ka karakterizuar karrierën e tij.
“Asnjëherë nuk kam qenë mjaftueshëm i kënaqur me paraqitjen time,” u shpreh ai. “Dua të punoj fort, ta shtyj ekipin të japë më të mirën. Nuk më pëlqen të humbas”./GazetaExpress/