Arresti shtëpiak për Artan Grubin ka bërë që dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, të përfshihen në një përplasje të ashpër akuzash. Ndërsa socialdemokratët e cilësojnë këtë vendim si një marrëveshje të paracaktuar mes qeverisë dhe BDI-së, nga partia në pushtet VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se paniku i LSDM-së buron nga frika se Grubi mund të dëshmojë për krimet e tyre të përbashkëta.
LSDM: “Gjithçka është e dakorduar paraprakisht”
Sipas partitë opozitare LSDM, caktimi i arrestit shtëpiak është konfirmimi përfundimtar se sistemi i drejtësisë ndodhet nën kontrollin e plotë të kryeministrit Mickoski. Ata akuzojnë se i gjithë procesi i kthimit të Grubit ishte një skenar i mirëpërgatitur.
“Marrëveshja VMRO–BDI po zbatohet para syve të publikut. Fillimisht me kthimin e dakorduar dhe xhirimin e regjizuar në kufi. Kamerat nuk punuan kur ai iku, por tani që u kthye, ka kamera në çdo hap. Nëse dikush ka ikur një herë nga shteti, mbi çfarë baze i caktohet arrest shtëpiak?”, pyesin nga LSDM, duke shtuar se asgjë nuk është e rastësishme dhe se mbetet vetëm të shihet çmimi i kësaj marrëveshjeje.
VMRO-DPMNE: “LSDM është në panik nga dëshmia e Grubit”
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto akuza, duke ia faturuar vendimin prokurorisë, për të cilën thonë se gëzon vetëm 2% besueshmëri pikërisht për shkak të politikave të kaluara të LSDM-së.
“LSDM duhet të merret vesh me veten. Në fakt, ata janë në panik sepse shoku i tyre kriminel, Artan Grubi, mund të flasë për të gjitha krimet ortake të qeverive të kaluara. Kutia e zezë për krimet e LSDM-së dhe BDI-së ra. Është vetëm çështje kohe kur zyrtarët e frikësuar të LSDM-së do t’i bëjnë shoqëri Grubit në bankat e gjykatës”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të Prokurorisë së Shkupit për të kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin, pas kthimit të tij nga arratia 14-mujore. (INA)
tag_katrorimaqedoni_2