Policia po heton abuzimin në baza racore, që dyshja e Rangersit e kanë përjetuar “online” - Gazeta Express
string(86) "policia-po-heton-abuzimin-ne-baza-racore-qe-dyshja-e-rangersit-e-kane-perjetuar-online"

Futboll

Gazeta Express

23/02/2026 21:40

Policia po heton abuzimin në baza racore, që dyshja e Rangersit e kanë përjetuar “online”

Futboll

Gazeta Express

23/02/2026 21:40

Policia e Skocisë ka nisur hetime pasi lojtarët e Rangersit, Emmanuel Fernandez dhe Djeidi Gassama, publikuan në rrjetet sociale pamje nga mesazhe me përmbajtje raciste të drejtuara ndaj tyre pas ndeshjes së së dielës në Livingston.

Mbrojtësi i lindur në Londër, Fernandez, i cili ka të drejtë të përfaqësojë Nigerinë, dhe anësori i Francës U20, Gassama, i lindur në Mauritani, ishin titullarë për Rangersin në barazimin 2-2 ndaj skuadrës së fundit në renditjen e Premiershipit skocez, rezultat që dëmtoi shpresat e tyre për titull.

Rangersi e cilësoi abuzimin në Instagram si “të papranueshëm” dhe e raportuan rastin te kompania mëmë e platformës, “Meta Platforms”.

Rasti përkon me konfirmimin nga policia në Angli se po heton pas sulmeve raciste online ndaj katër lojtarëve të Premierligës gjatë fundjavës.

Një zëdhënës i Policisë së Skocisë tha për “BBC Scotland”: “Jemi në dijeni të postimeve fyese online dhe hetimet janë në fazë të hershme.”

Në një deklaratë mbështetjeje për lojtarët, Rangersi tha: “Për çdo lojtar, hapja e telefonit dhe shikimi i abuzimit të lidhur me ngjyrën e lëkurës është thjesht e papranueshme.

“Llogaritë duken anonime dhe nuk kanë asnjë lidhje me klubin. Kjo mund ta bëjë më të vështirë ndërmarrjen e veprimeve, por nuk e zbeh seriozitetin e asaj që ka ndodhur, apo përgjegjësinë e platformës përkatëse.

“Prioriteti ynë i menjëhershëm është mirëqenia e lojtarëve të përfshirë. Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me Djeidi dhe Manny dhe u kemi ofruar mbështetje të plotë, tani dhe në çdo proces të ardhshëm gjyqësor.

“Jemi krenarë që ata ngritën zërin duke denoncuar këtë abuzim të neveritshëm.

“Manny dhe Djeidi përfaqësojnë Rangersin me përkushtim dhe krenari. Sa herë që zbresin në fushë, e bëjnë në emër të këtij klubi dhe tifozëve tanë.

“Shumë tifozë tashmë kanë dërguar mesazhe mbështetjeje. Ne e mirëpresim këtë përkrahje. Ajo pasqyron atë që përfaqëson ky klub: krenari për fanellën, respekt për ata që e veshin dhe angazhim për të qëndruar së bashku.”

Muajin e kaluar, Livingston i shkroi Federatës Skoceze të Futbollit për një koment të dyshuar racist ndaj sulmuesit Jeremy Bokila gjatë humbjes ndaj Aberdeen.

Ndërkohë, pas barazimit 1-1 në “Stamford Bridge”, mesfushori i Burnleyt, Hannibal Mejbri, dhe mbrojtësi i Chelseat, Wesley Fofana, morën abuzime raciste në Instagram.

Të dielën, sulmuesi i Wolverhampton Wanderers, Tolu Arokodare, dhe anësori i Sunderland, Romaine Mundle, u bënë gjithashtu objekt i mesazheve raciste në rrjetet sociale.

Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit britanik Keir Starmer e cilësoi abuzimin si “të neveritshëm”, duke shtuar se kryeministri ka mbështetur më parë futbollistët që kanë pasur guximin të denoncojnë diskriminimin dhe racizmin.

Ai theksoi se klubet e elitës angleze kanë deklaruar se duan të bashkëpunojnë me rrjetet sociale, përfshirë Meta, Premierligën dhe policinë për të identifikuar përgjegjësit.

Grupi kundër diskriminimit “Kick It Out” tha se kishte qenë një “fundjavë e tmerrshme”, por shtoi se “fatkeqësisht, e dimë që kjo ndodh rregullisht”.

Në nëntor, një hetim i “BBC” zbuloi mbi 2,000 postime jashtëzakonisht abuzive në rrjetet sociale – përfshirë kërcënime me vdekje dhe përdhunim – të drejtuara ndaj trajnerëve dhe lojtarëve në Premierligë dhe Superligën e vajzave brenda një fundjave të vetme./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement