Producentët e BBC kanë deklaruar se nuk e kanë dëgjuar një fyerje racore (N-word) që u transmetua gabimisht në BBC One gjatë ceremonisë së çmimeve BAFTA, duke thënë se po punonin nga një kamion transmetimi.
Korporata ka kërkuar ndjesë për faktin që momenti nuk u hoq në montazh dhe mbeti i paedituar për disa orë.
Pamjet problematike qëndruan në BBC iPlayer gjatë gjithë natës, përpara se transmetimi të hiqej. Më pas BBC kërkoi falje dhe njoftoi se programi do të rieditohej, pas reagimeve të ashpra publike.
Fjala fyese u shqiptua në mënyrë të pavullnetshme nga John Davidson, aktivist me sindromën Tourette, në momentin kur aktorët Delroy Lindo dhe Michael B. Jordan ndodheshin në skenë për të dorëzuar një çmim për filmin Sinners. Sipas BBC-së, producentët që mbikëqyrnin ceremoninë nga distanca nuk e vunë re këtë moment, ndonëse disa raste të tjera me gjuhë të papërshtatshme u ndërprenë në kohë.
BBC lëshoi një ndjesë të dytë zyrtare, duke thënë: “Disa shikues mund të kenë dëgjuar gjuhë të fortë dhe fyese gjatë ceremonisë së çmimeve Bafta. Kjo lidhet me tiket verbale të pavullnetshme të sindromës Tourette dhe nuk ishte e qëllimshme. Kërkojmë ndjesë që kjo nuk u hoq para transmetimit dhe tani do të hiqet nga versioni në iPlayer.”
Edhe vetë Bafta reagoi me një deklaratë, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si “jashtëzakonisht fyese dhe bartëse e dhimbjes së madhe për shumë njerëz”, dhe duke marrë përgjegjësi për situatën e krijuar. Organizatorët theksuan se do të nxjerrin mësime nga rasti dhe do të mbajnë përfshirjen dhe ndjeshmërinë në qendër të veprimtarisë së tyre.
Kritikat u udhëhoqën nga Kemi Badenoch, e cila e quajti ngjarjen “një gabim të tmerrshëm”, duke theksuar se fyerja duhej të ishte bllokuar, ashtu siç u bllokuan edhe thirrje të tjera gjatë ceremonisë.
Incidenti ndodhi në një mbrëmje ku filmi I Swear, i frymëzuar nga jeta e Davidson dhe përvoja e tij me sindromën Tourette, ishte nominuar për disa çmime. Vetë Davidson raportohet se u largua nga ceremonia para përfundimit, i shqetësuar nga reagimi që shkaktuan tiket e tij.
Gjatë ceremonisë, prezantuesi Alan Cumming shpjegoi publikisht se sindroma Tourette është një paaftësi dhe se tiket janë të pavullnetshme, duke kërkuar ndjesë nëse dikush ndihej i ofenduar.
Reagime kritike erdhën edhe nga figura publike, përfshirë aktorë si Jamie Foxx dhe Wendell Pierce, të cilët theksuan se fyerja racore është e papranueshme pavarësisht rrethanave. Ndërkohë, grupi Tourettes Action u bëri thirrje publikut për mirëkuptim, duke sqaruar se tiket e Tourette-it janë neurologjike, jo shprehje bindjesh apo qëllimesh.
Vetë Davidson deklaroi se ndihej “thellësisht i turpëruar” nëse dikush i kishte interpretuar tiket e tij si të qëllimshme, duke theksuar se gjithë jetën e tij ka punuar për të nxitur empatinë dhe mirëkuptimin ndaj komunitetit të personave me sindromën Tourette.
Ngjarja ka hapur debat mbi standardet editoriale të BBC-së, veçanërisht për faktin se transmetimi i ceremonisë ishte me vonesë dyorëshe, çka teorikisht do të duhej të lejonte heqjen e plotë të momentit problematik. /GazetaExpress/