Ndiheni të lodhur, të fryrë apo pa energji gjatë një fluturimi të gjatë? Mjekët shpjegojnë pse udhëtimi ajror shpesh na lë të plogësht dhe çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar këtë ndjesi.
Një fluturim i gjatë duket si momenti ideal për të mbyllur email-et ose për të lexuar një libër. Por për shumë njerëz, kjo dëshirë për produktivitet zbehet shpejt, teksa lodhja dhe fryrja fillojnë të ndihen. Ekspertët theksojnë disa arsye kryesore pse ndodh kjo – dhe japin këshilla praktike për ta shmangur.
Rutina del nga balanca
Kur dalim nga rutina e përditshme, trupi reagon. Dr. Asimah Hanif, mjeke familjeje në NHS dhe eksperte mjekësore që bashkëpunon me Staysure, shpjegon se oraret e pazakonta të ushqimit dhe ushqimet që nuk i konsumojmë zakonisht (si mëngjesi shumë herët në avion) mund të prishin tretjen dhe të shtojnë ndjesinë e plogështisë.

Edhe Dr. Mark Austin, specialist i gastroenterologjisë në Nuffield Health në Haywards Heath, bie dakord: fluturimet në orare të çuditshme mund të rrisin hormonet e stresit, të ulin oreksin dhe të shkaktojnë fryrje e parehati.
Mungesa e gjumit
Gjumi cilësor në avion është i vështirë për shumicën. Privimi nga gjumi ndikon drejtpërdrejt në tretje dhe në nivelin e energjisë, duke e përkeqësuar ndjesinë e lodhjes.
Mjedisi i avionit
Në lartësi të mëdha ndryshon presioni i ajrit dhe ulet niveli i oksigjenit, çka mund të ndikojë në energji dhe tretje. Ajri i thatë në kabinë nxit dehidratimin dhe tharjen e lëkurës, duke shtuar ndjesinë e rraskapitjes.

Alkooli
Alkooli në fluturim ka efekt më të fortë. Ai shkakton dehidratim, prish gjumin dhe rrit rrezikun e refluksit. Për më tepër, sasia e lartë e sheqerit dhe kalorive mund të destabilizojë nivelin e sheqerit në gjak, duke ndikuar negativisht në energji dhe humor.
Kafeina
Kur kalohen zona kohore, ora biologjike ngatërrohet. Kafeina, si stimulues, mund ta zgjasë efektin e “jet lag”-ut dhe ta bëjë më të vështirë përshtatjen e trupit.
Ushqimi i avionit
Vaktet në avion shpesh kanë shumë kripë (sepse shija ndryshon në lartësi), çka nxit mbajtjen e ujit dhe fryrjen. Ato janë zakonisht të pasura me karbohidrate të përpunuara (makarona, oriz, bukë), me pak fibër dhe relativisht shumë yndyrë – kombinim që të mbush shpejt dhe të bën të përgjumur.
Qëndrimi ulur për kohë të gjatë
Ulja e zgjatur ngadalëson qarkullimin, metabolizmin dhe lëvizjen e zorrëve. Për personat e prirur ndaj kapsllëkut, kjo rrit rrezikun e fryrjes dhe gazrave.
Dehidratimi
Lagështia e ulët në avion rrit ndjeshëm rrezikun e dehidratimit. Trupi mund të devijojë qarkullimin e gjakut larg zorrëve, duke shkaktuar probleme me tretjen, fryrje dhe kapsllëk.

Si ta shmangni lodhjen në fluturimin e radhës
Shmangni stimulantët: evitoni alkoolin, kafenë dhe pijet me kafeinë para dhe gjatë fluturimit.
Zgjidhni vakte të lehta: preferoni ushqime të balancuara me proteina dhe perime, në vend të vakteve shumë niseshteje.
Zgjidhni snack-e: nëse nuk keni shumë uri, hani fruta, arra dhe fara në sasi të vogla.
Qëndroni të hidratuar: pini një gotë ujë çdo orë (ose rreth gjysmë shisheje).
Lëvizni rregullisht: ngrihuni dhe ecni në kabinë çdo 2–3 orë; lëvizja ndihmon tretjen dhe ul fryrjen.
Me këto hapa të thjeshtë, fluturimet e gjata mund të jenë shumë më të rehatshme dhe energjia juaj të zgjasë deri në destinacion. /GazetaExpress/