Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e pagesës ditore për familjarët/përcjellësit e pacientëve në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në emisionin “Kosova Live” në T7 ka reaguar Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK).
Kodra ka shprehur shqetësimin se kjo masë vendos barrë shtesë mbi familjet, duke theksuar se përcjellësit nuk janë vizitorë të zakonshëm, por shpeshherë pjesë thelbësore e kujdesit për pacientët.
Sipas tij, në shumë raste janë pikërisht familjarët ata që dalin ti blenë e sigurojnë barna jashtë QKUK. Ndërkoheë sipas tij të njejtit ndihmojnë në ushqyerje, higjienë dhe përkujdesje të përditshme sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike.
Kodra theksoi se një praktikë e tillë mund të konsiderohet edhe e kundërligjshme, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët.
Sipas tij, çdo fëmijë ka të drejtë që gjatë trajtimit të ketë prindin apo kujdestarin pranë, ndërsa edhe një i mitur 15-vjeçar, në kushte normale, nuk mund të konsiderohet i aftë për t’u kujdesur vetë në ambient spitalor.
“Çdokush duhet ta dijë se kemi të bëjmë me fëmijë, dhe nuk mund të ndahen nga familja në situata të tilla. Një fëmijë nuk është në gjendje dhe as i gatshëm të kujdeset për veten e tij në spital”, u shpreh ai.
Ai shtoi se qëndrimi i familjarëve pranë pacientëve nuk është çështje dëshire, por domosdoshmëri.
“Askush nuk shkon të qëndrojë aty për dëshirë. Familjarët janë aty për të shoqëruar dhe ndihmuar pacientin, sepse në shumë raste vet institucioni nuk arrin të ofrojë të gjithë kujdesin e nevojshëm. Madje, shpesh obligimet që duhet t’i përmbushë spitali u kalohen qytetarëve – dhe për më tepër, ata edhe tarifohen për këtë”, deklaroi Kodra
Kodra ka shtuar se dhe mungesat brenda spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes rritjes së kapaciteteve të stafit dhe përmirësimit të shërbimeve mbështetëse.