Kryeministri Albin Kurti tha se është optimist se do të gjendet një zgjidhje për çështjen e Presidentit.
Pas takimeve me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza mbrëmë, dhe sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se ka parë atmosferë konstruktive në këto dy takime, dhe nuk ka parë “zell për zgjedhje të reja”.
Ai tha se zgjedhjet e reja nuk i do as Lëvizja Vetëvendosje e tij, dhe se kjo është e përbashkëta me dy partitë e tjera të mëdha.
“Ajo çka më bën optimist është konstruktiviteti i atmosferës në këto takime, fakti që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin, dhe në të njëjtën kohë që nuk shoh zell, gatishmëri – natyrisht që ne në politikë edhe shkojmë nëpër fushata të reja, sepse këtë punë bëjmë – por nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Pra, gatishmëria natyrisht që ekziston, edhe te PDK-ja, edhe te LDK-ja. Nëse duhet me shku në zgjedhje, edhe Vetëvendosja, ne shkojmë në zgjedhje të reja. Por zell për zgjedhje të reja nuk shoh dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që e kemi dhe këto elemente më bëjnë optimist që në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje”, tha ai.