Luis Diazi po shkëlqen te Bayern Munichu në aspektin sportiv, por po përballet me një vështirësi të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me kontratën e tij.
Pasi ndihmoi Liverpoolin të fitonte Premierligën në sezonin e parë të Arne Slotit, Diazi u transferua te kampionët e Bundesligës për 65.5 milionë paund, duke firmosur një kontratë katërvjeçare.
Kolumbiani është përshtatur shpejt në skuadrën e drejtuar nga Vincent Kompany, duke regjistruar 19 gola dhe 15 asistime në të gjitha garat.
Megjithatë, jashtë fushës ai ka hasur vështirësi, veçanërisht me gjuhën.
Gjuha amtare e Diazit është spanjolliishtja; ai mësoi portugalisht gjatë kohës te Porto dhe pak anglisht gjatë periudhës te Liverpooli.
Në një intervistë për “Sky Deportes”, ai pranoi se gjuha mbetet “gjëja më e vështirë” në procesin e adaptimit.
Sipas një raporti të “BILD”, të cituar nga “beIN Sports”, në kontratën e Diazit ekziston një “klauzolë gjuhe”, e cila e detyron atë të ndjekë kurse për përmirësimin e gjermanishtes.
Kjo është një detyrim zyrtar i përfshirë në dokument dhe duhet respektuar.
Marrëveshja parashikon dy ose tre seanca gjuhësore në javë dhe lojtarët përkatës duhet të tregojnë progres.
Në rast se nuk evidentohet përmirësim i dukshëm, mund të aplikohen gjoba financiare që variojnë nga 5,000 deri në 50,000 euro, në varësi të nivelit të përmbushjes së detyrimeve.
Te Bayerni nuk ka shumë folës të spanjolliishtes, por kapiteni Joshua Kimmich, i cili flet edhe frëngjisht dhe anglisht, është pjesë e grupit të vogël që e ndihmon Diazin në komunikim dhe krijoi miqësi me të që në fillim.
“Kemi disa djem që flasin pak spanjolliisht,” tha reprezentuesi gjerman.
“Anglishtja e tij është gjithashtu në rregull. Po ia dalim si skuadër”, shtoi ai.
Pavarësisht sfidave me gjuhën, Diazi po e shijon shumë eksperiencën në Mynih.
Bayerni kryeson me tetë pikë diferencë në Bundesligë para përballjes “Der Klassiker” kundër Borussia Dortmundit në “Signal Iduna Park” fundjavën e ardhshme.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Bundesligës, ai u shpreh se ai dhe familja e tij janë “vërtet të lumtur” në ambientin e ri.
“Ka qenë spektakolare,” tha Diazi.
“Siç kam thënë më parë, ndihem shumë rehat këtu, në një skuadër të madhe, një klub të madh dhe një institucion të madh. Më kanë bërë të ndihem si në shtëpi, mes familjes.
Jam shumë i lumtur këtu. Po përpiqem ta shijoj, sepse kjo është thelbi – ta shijosh këtë pjesë të futbollit. Edhe familja ime është shumë e lumtur këtu”, e mbylli ai./GazetaExpress/