Abdixhiku: Me Kurtin u dakorduam për dy rrugë për zgjedhjen e Presidentit, në takimet e ardhshme flasim për emrat konkret - Gazeta Express
string(119) "abdixhiku-me-kurtin-u-dakorduam-per-dy-rruge-per-zgjedhjen-e-presidentit-ne-takimet-e-ardhshme-flasim-per-emrat-konkret"

Lajme

Gazeta Express

23/02/2026 16:22

Abdixhiku: Me Kurtin u dakorduam për dy rrugë për zgjedhjen e Presidentit, në takimet e ardhshme flasim për emrat konkret

Lajme

Gazeta Express

23/02/2026 16:22

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se u dakordua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin Albin Kurti për “dy rrugë përpara” për zgjedhjen e Presidentit, në një takim që e quajti “përmbajtësor, i mbarë dhe i mirë”.

Abdixhiku tha pas takimit me Kurtin se ose duhet të ketë konsensus të gjerë politik për një emër, ose një marrëveshje LVV-LDK.

“Pra, u dakorduam që dy rrugë janë përpara: ose konsensusi politik, ose një marrëveshje politike mes dy partive politike për çështjen e Presidentit”, tha ai.

Abdixhiku tha se ka mbetur “të takohemi në ditët në vijim për të parë njërën prej këtyre dy mundësive”.

Kreu i LDK-së tha se “nuk përmendëm emrat, folëm për parime, folëm për shtyllat potenciale të zgjidhjes së çështjes jetike të zgjedhjes së Presidentit dhe shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Ai tha se “më pas do të flasim edhe për emrat konkret në takimet e ardhshme”.

Abdixhiku tha se takimi ishte “ndërpartiak” që diskutonte “çështjen e ardhshme të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm”.

“Folëm për gjithë politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, çështjet e sigurisë, çështjet me interes të përbashkët. E falënderova për përfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës në buxhetin qendror”, tha ai.

Abdixhiku përmendi paraprakisht edhe afatin kushtetues që “po rrjedh”.

“Janë më pak se 10 ditë, përkatësisht 9 ditë deri te zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës. Dakordimi i përgjithshëm është se janë dy rrugë përpara: e para, ose duhet konsensus politik dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto 9 ditët e ardhshme, ose duhet një marrëveshje klasike politike, pra marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e Presidentit dhe në të dyja rastet duhet së paku 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement