Dialogu me Serbinë në duart e Glauk Konjufcës. Ai vjen në këtë pozitë në kohën kur Kosovës i kërkohet hapi i parë konkret dhe praktik drejt formimit të Asociacionit. Kryediplomati e kishte lavdëruar fillimisht një propozim të BE-së për Asociacionin, por më vonë e kishte arsyetuar vendimin e Qeverisë për të mos e dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, siç kishte kërkuar Brukseli.
Gazeta Express
Glauk Konjufca do ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Kryediplomati i Kosovës e priti të hënën në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.
Ministria e Punëve të Jashtme tha të hënën se Konjufca e njoftoi Sorensenin që procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen këtij dikasteri.
“Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.
MPJ tha se Konjufca ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.
Që prej kur e pasoi Miroslav Lajçakun si ndërmjetës të mandatuar nga BE-ja për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen më së shumti është takuar me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ishte kryenegociator i Kosovës në dialog, por që ka mbetur jashtë kabinetit të ri qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Sorensen ka kërkuar gjithnjë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin marrë vesh në vitin 2023. Marrëveshja përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit mbetet kërkesa kryesore e Perëndimit për Kosovën.
Ndërmjetësi i ri europian mundi t’i ulte disa herë përballë njëri-tjetrit në tavolinë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk pati sukses në një përpjekjeje për një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, të cilin e synonte. Ata nuk janë takuar që nga shtatori i vitit 2023.
Çështje të tjera, si arrestimet e shtetasve të njëra-tjetrës e kishin ndërlikuar punën e Sorensenit, i cili e nisi detyrën e ndërmjetësit në një situatë kur kurba e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ishte në lartësinë e saj më të madhe, por të dyja vendet dukej se po merreshin më shumë me gjendjet e tyre brenda.
Konjufca vjen në këtë pozitë në kohën kur Kosovës i kërkohet hapi i parë konkret dhe praktik drejt formimit të Asociacionit.
Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ashtu siç ka kërkuar Brukseli.
Kosova deri më tani nuk ka pranuar që ta themelojë Asociacionin si prioritetin kryesor, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin e saj territorial.
Qëndrimet e Konjufcës për Asociacionin
Konjufca e komentonte pozitivisht një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në shkurt të vitit 2023.
Gjatë një prononcimi për media më 7 shkurt të atij viti, ai thoshte se tha se në propozimin europian, që njihej edhe si propozimi franko-gjerman, “nuk përmendet kurrfarë asociacioni”.
Konjufca thoshte se ai plan kishte “njohje ‘de facto'”, por shtonte se se ai “nuk e ka formën e marrëveshjes përfundimtare dhe ky është rrezik i madh”.
Në maj të vitit 2023, Konjufca befasisht u gjend duke i dhënë merita ish-kryeministrit Isa Mustafa për një letër garantuese që e kishte marrë vendi nga ish shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të përbënte nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.
“Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, thoshte ai.
Pas një muaji, në maj 2023, ai thoshte se “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto”.
Në shtator të vitit 2023, Konjufca thoshte se ka “vetëm një çelës për të ecur dialogu përpara”
“Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, deklaronte ai. Pesë diplomatë nga SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Italia, ua kishte sjellë Kosovës dhe Serbisë një “propozim modern europian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, në atë kohë.
Konjufca thoshte gjatë një prononcimi për media në tetor të vitit 2023 se “në një shikim sipërfaqësor, propozimi për Asociacionin është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”.
Por ai shtonte se kjo s’duhej të ishte “temë e negociatave me Serbinë”. Thoshte se Por, “nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës”.
Propozimi i diplomatëve perëndimorë për Asociacionin, u tha fillimisht se ishte pranuar nga palët. Madje kryeministri Albin Kurti thoshte se ishte shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Por gjërat kishin ndryshuar dhe Konjufca, në mars të vitit 2024 thoshte se “Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Asociacion Kosovës”.
“Është gabim të mendosh se është kompetencë e BE-së të na caktojë neve [draft-status për Asociacionin], kurse kompetencë e jona të jetë ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe Kosova të qëndrojë gatitur dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”.
Më pas, në qershor të vitit 2024, Konjufca thoshte se drafti i dorëzuar nga BE-ja “ka një parregullsi”, meqenëse Brukseli nuk ka kompetencë ta bëjë këtë propozim.
Konjufca ishte ankuar edhe në shtator të vitit 2024 se bashkësia ndërkombëtare po tregohej e njëanshme kur bëhet fjalë për raportet e saj me Kosovën dhe me Serbinë.
Atëherë, ai e konsideroi të vdekur dialogun e Kosovës me Serbinë, për shkak të sulmit në Banjsk/ të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku vdiq rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
“Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit ndoshta në arkivolin e dialogut të Brukselit, sa i përket dialogut i cili kishte filluar në vitin 2011”, thoshte ndër tjerash Konjufca.
Por takime të tjera në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi vazhduan të zhvilloheshin pavarësisht deklaratave të Konjufcës, të cilit më nuk iu bë të fliste për këtë temë, pasi vendi hyri në një vit me zgjedhje dhe bllokada institucionale brenda.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, sheh se tani është krijuar një momentum i ri për për të çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Kosovë-Serbi. Asociacioni konsiderohet nga Perëndimi si pjesa kryesore që Kosova duhet ta zbatojë.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së dakorduar ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, do të duhej t’u sigurojë serbëve në Kosovë një nivel të caktuar vetëmenaxhimi. Statuti i Asociacionit, i hartuar nga BE-ja, parasheh rregullimin e pozitës së komunitetit serb, mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe financimin nga Serbia.