Shoqata Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka publikuar pamje nga operacioni i nxjerrjes së trupit të pajetë të alpinistit malazez në malin Hajla, pas një aksioni të vështirë ndërkufitar kërkim-shpëtimi.
Kujtojmë se alpinisti ishte zhdukur një ditë më parë gjatë ngjitjes në majën e Hajla (2407 metra mbi nivelin e detit), ndërsa dje është konfirmuar se ai është gjetur i vdekur.
Trupi i pajetë i alpinistit malazez Çazim Fetahoviç është gjetur në shpatet veriore të Hajlës, në territorin e Malit të Zi. Sipas njoftimit, ai ishte rrëzuar në një shtresë dëbore të formuar nga erërat e forta dhe akumulimi i borës në faqet e pjerrëta të malit, menjëherë pasi kishte kaluar majën.
Trupi u lokalizua nga alpinisti i njohur Semir Kardoviç, i cili për rreth dy orë kishte kërkuar në zonën ku dyshohej se kishte ndodhur rrëshqitja fatale.
Sipas informacioneve zyrtare, më 21 shkurt 2026, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës kishte pranuar një thirrje nga Policia e Kosovës, pasi një grup bjeshkatarësh kroatë kishin dërguar mesazh SOS, duke raportuar se një anëtar i grupit nga Mali i Zi kishte rrëshqitur në një greminë dhe kishte humbur kontaktin me ta.
Për shkak të kushteve tejet të vështira atmosferike – mjegullës së dendur, erës së fortë dhe reshjeve të mëdha të borës – kërkimet gjatë natës ishin ndërprerë për arsye sigurie dhe kishin vazhduar në orët e mëngjesit.
Në aksionin e përbashkët morën pjesë pjesëtarë të Shoqata e shpetimit të Malit të Zi, Shërbimi Malor i Shpëtimit nga Kosova, alpinistë të klubeve malore të Malit të Zi, Policia Kufitare, si dhe shërbimi i zjarrfikësve dhe emergjencave në Rožajë. Për shkak të motit të pafavorshëm, nuk ishte e mundur angazhimi i helikopterit.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, trupi i pajetë është transportuar dhe dorëzuar tek institucionet kompetente në Mal të Zi.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës dhe komunitetin e alpinistëve.