Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj një të dyshuari për fajde në Rahovec.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet M.I., si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykata Themelore Gjakovë – Dega Rahovec për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari, që nga qershori i vitit 2024 dhe në vazhdimësi në Rahovec, ka dhënë para me kamatë të paligjshme duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të një personi të dëmtuar.
Viktima dyshohet se kishte marrë 7 mijë euro borxh dhe paguante nga 700 euro në muaj, ndërsa deri në inicimin e hetimeve kishte paguar gjithsej 14 mijë euro kamatë të paligjshme.
Prokuroria njofton se i dyshuari është arrestuar më 21 shkurt 2026 gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, në momentin kur po pranonte shumën prej 700 eurosh nga i dëmtuari. Ai dyshohet për veprën penale “Fajdeja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh.
Njoftimi i plotë:
Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për fajde
Gjakovë, 22 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet M.I., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet M.I., në qershor të vitit 2024, e në vazhdimësi në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit H.F. Në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare pasi i duheshin të holla për shërimin e tij, nga i njëjti merr të holla në shumë prej 7000 € (shtatëmijë euro) i cili për çdo muaj paguan shumën prej 700 € (shtatëqind euro), e që ratën e ardhshme i ka caktuar ta paguaj më së largu deri me datë 21.02.2026.
Deri me datën e inicimit të hetimit ka paguar kamatë me fajde shumën prej 14.000 € (katërmbëdhjetëmijë euro), me ç’rast ditën kritike me datë 21.02.2026 i njëjti është arrestuar nga ana e policisë gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore duke i pranuar të hollat në vlerë prej 700 euro nga i dëmtuari.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 prg.2 lidhur me prg.1 të KPRK-së.
I pandehuri që nga data 21 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.