Nicolò Tresoldi, sulmuesi i Gjermanisë U21, pranon se ëndërron të bashkohet me gjigantin e Serie A, Milanin, por kishte pritur një telefonatë nga federata italiane: “Vendosa të përfaqësoj Gjermaninë vite më parë.”
“Nuk do të ishte keq të shënoja një gol me fanellën e Milanit nga një asist i Leaos,” i tha ai “Gazzetta dello Sportit”.
“E takova një herë në ‘San Siro’. Jam tifoz i Milanit dhe e shijova shumë atë moment. Ishte i bukur dhe i papritur. Milan është një ëndërr që më motivon të punoj çdo ditë. Jam shumë i lumtur këtu te Club Brugge, por e di që kam një rrugë të gjatë përpara. Ëndrra për të luajtur për Milan është gjithmonë në mendjen time, dhe mendoj për të çdo mëngjes kur zgjohem”, tha ai.
Raportet e fundit në Itali sugjerojnë se “Rossoneri” po e ndjekin nga afër sulmuesin 21-vjeçar, kështu që ëndrra e Tresoldit mund të realizohet në të ardhmen.
“Pippo Inzaghi ishte idhulli im i parë,” shtoi ai.
“Jo shumë kohë më parë, numëroja golat e mi; i shënova të gjithë në telefon, edhe ato në stërvitje, por pastaj e lashë, përndryshe truri im do të shpërthente. Sot marr frymëzim nga Robert Lewandowski. E studioj dhe shikoj çdo ndeshje të Barcelona. Dua ta shijoj deri kur të tërhiqet; është sulmuesi që më pëlqen më shumë”, shtoi ai.
I lindur në Cagliari, Itali, më 20 gusht 2004, prindërit e tij u zhvendosën në Gjermani kur ai ishte fëmijë, kështu që filloi të luante në sektorin e të rinjve të Hannover.
Aktualisht nën kontratë me Club Brugge, Tresoldi ka shënuar 12 gola në 42 paraqitje në të gjitha kompeticionet këtë sezon, por është e pamundur që ai të luajë për “Azzurri” në të ardhmen.
“Italia është Italia, por vendosa të përfaqësoj Gjermaninë vite më parë,” tha ai.
“Ata më kanë treguar një rrugë dhe menjëherë ndjeva dashuri, madje edhe nga federata. Është e rëndësishme për mua të luaj. Nuk kam marrë asnjëherë një telefonatë nga Coverciano, kështu që për tani shkoj përpara me Gjermaninë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Tresoldi pranoi se një telefonatë nga federata italiane do të kishte qenë e mirë.
“Sinqerisht, po, kam shënuar dy gola në Ligën e Kampionëve, dhe do të kisha dëshiruar një telefonatë, edhe vetëm për t’u njohur. Kjo do të thotë se duhet të bëj edhe më shumë”, vazhdoi ai.
Tresoldi ishte në fushë në qershor 2025 kur U21 e Gjermanisë eliminoi “Azzurrin” nga Kampionati Evropian i U21.
“Ishte pak e çuditshme të dëgjoja kundërshtarët të flisnin italisht,” pranoi ai.
“U ndjeva pak keq që i eliminuam, por ky është futbolli”, e mbylli ai./GazetaExpress/