Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi dje se po hetohet mundësia që personi i dyshuar për vrasjen e një gruaje të moshuar në fshatin Çellopek të jetë autor i disa veprave të ngjashme.
Rosanka (85), banore e fshatit, në një deklaratë për Sitel TV ka përshkruar momentet e tmerrit që përjetoi kur një person i panjohur hyri me forcë në shtëpinë e saj. I njëjti person tashmë dyshohet për vrasjen e fqinjës së saj.
Sipas saj, teksa qëndronte e qetë në banesë, një person i panjohur hyri papritur dhe pa thënë asnjë fjalë nisi ta sulmonte.
“Më hodhi një batanije mbi kokë. Thashë – kush është ky? Nuk foli asgjë, vetëm filloi të më godasë. Më kapi fort për fyti që të mos mund të bërtisja”, rrëfen 85-vjeçarja.
Ajo thotë se u përpoq të rezistonte me forcat e fundit, ndërsa sulmuesi kontrollonte dhomën, me gjasë duke kërkuar para.
Ngjarja ndodhi vetëm disa ditë para se në të njëjtin fshat të gjendej trupi i pajetë i një gruaje 78-vjeçare. Për këtë rast është arrestuar një 25-vjeçar nga fshati fqinj Dragomancë.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
tag_katrorimaqedoni_2