Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka urdhëruar hetim kundër një 25-vjeçari nga fshati Çellopek, komuna Staro Nagoriçanit, i cili dyshohet për vrasje me paramendim, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 1 e Kodit Penal. Siç raporton Prokuroria, është e mundur që autori të jetë i lidhur me raste të tjera të ngjashme, transmeton Portalb.mk.
“Në një datë të paspecifikuar në periudhën nga 27.01 deri më 12.02.2026, i dyshuari 25-vjeçar në fshatin Çellopek, komuna Staro Nagoricanit, me paramendim dhe në mënyrë mizore dhe tinëzare e privoi nga jeta viktimën, një grua të lindur në vitin 1947. Ai shfrytëzoi faktin se e dëmtuara jetonte vetëm, ishte e moshuar dhe e dobët. Kur hyri në shtëpinë e saj, ajo po flinte, kështu që i dyshuari e sulmoi fizikisht, duke i shkaktuar disa goditje me të cilat i shkaktoi lëndime të rënda trupore, nga të cilat gruaja vdiq. Me veprime intensive të koordinuara gjatë ditëve të fundit nga Prokuroria Publike e Kumanovës dhe qendra hetimore në atë prokurori, Ministria e Brendshme dhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë siguruar prova që tregojnë një lidhje midis kësaj ngjarjeje dhe disa rasteve të tjera të ngjashme në rajonin e Kumanovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për shkak të ngjashmërive në zgjedhjen e viktimës dhe mënyrës mizore të kryerjes së krimit, po hetohet nëse këto raste janë vrasje të kryera nga i njëjti autor.
“Dje u urdhërua zhvarrimi dhe autopsia për njërën nga viktimat e mundshme, nga trupi i gruas së ndjerë u morën gjurmë dhe ADN dhe po ekzaminohen. Autoritetet hetimore po punojnë për ekzaminime dhe analiza komplekse, si dhe veprime të tjera për të siguruar prova, të cilat aktualisht nuk mund të ndahen me publikun për shkak të sekretit të procedurës. I dyshuari u privua menjëherë nga liria dhe u sigurua që nga momenti i zbulimit të tij, dhe me propozim të prokurorit publik, ai u la në paraburgim. Është urdhëruar edhe ekzaminim psikiatrik i të dyshuarit nga një ekip ekspertësh – psikiatër forenzikë nga Instituti i Psikiatrisë në Shkup”, shtohet në informacionin nga Prokuroria.
tag_katrorimaqedoni_2